Situata me Covid-19

Situata me Covid-19

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi të publikuar në Facebook, ka kërkuar mbështetjen e mërgatës për tejkalimin e COVID-19.

 “Të dashur bashkëatdhtarë, cdoherë kur Kosova ka pasur nevojë, ju keni qenë pranë saj, dashuria juaj për Kosovën nuk pati kushte madje edhe kur nuk ju kanë përfillur duke ua bërë investimin në Kosovë të pamundur apo votimin nga jashtë gati të pamundur. Ju gjithmonë keni vazhduar të shtyrë nga ideali për një komb të bashkuar e të lirë, për një shtet zhvillimor e të dinjitetshëm. Remitancat tuaja nuk janë ndalur dhe janë shtuar. Është pikërisht kjo mbështetje e jashtëzakonshme e secilit prej jush që po e shtynë Qeverinë t’i vazhdojë ndryshimet rrënjësore pavarësisht sfidave politike, ekonomike dhe tashmë edhe shëndetësore në vend”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se 21 vjet pas luftës, Kosova po vazhdon të ketë ngecje në sistemin shëndetësor. “Vetëm falë kujdesit të shtuar dhe masave preventive të udhëzuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si dhe angazhimit maksimal të stafit shëndetësor, Qeveria jonë arriti të parandalojë një tragjedi potenciale sikur e kemi parë në vendet e rajonit”.

Kurti ka bërë të ditur se Qeveria ka hapur një xhirollogari të posaçme dedikuar menaxhimit të pandemisë.

“Fondin rezervë të paraparë vetëm për raste urgjente e kemi gjetur të zbrazur, teksa deficiti tregtar është rritur, e prodhimi vendor është i ulët. Në këtë kohë kur shtetet po izolohen, e ardhmja e afërt e Kosovës është e pasigurt e me mungesa të shumta. Së bashku me stafin mjekësor në vijën e parë të frontit po e bëjmë të pamundur që të menaxhojmë parandalimin e përhapjes së virusit korona, mirëpo na duhet edhe ndihma juaj. Duke e pasur parasysh gjendjen që ndodhet vendi ju bëj thirrje që edhe këtë herë të bëheni pjesë e solidaritetit dhe të na ndihmoni në luftën kundër Covid-19. Qeveria jonë ka hapur një xhirollogari të posaçme dedikuar menaxhimit të pandemisë”, ka thënë Kurti./21Media