Kurti kërkon që Serbia të ndëshkohet ndërkombëtarisht

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka takuar të dërguarin special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, ky takim është mbajtur për të diskutuar mbi sulmin e armatosur serb në veri të Kosovës.

Kurti ka deklaruar se hetimet faktojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore të Serbisë në këtë akt agresioni, derisa ka bërë thirrje që Serbia të ndëshkohet ndërkombëtarisht.

“Kryeministri Kurti theksoi që dëshmitë e mbledhura përgjatë hetimeve të realizuara pas sulmit kriminal dhe terrorist, faktojnë e dëshmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore të Serbisë në këtë akt agresioni ndaj Republikës së Kosovës, për të cilin Serbia duhet të sanksionohet e ndëshkohet ndërkombëtarisht. Pas dështimit të sulmit të armatosur me formacionet para-ushtarake të udhëhequra nga Milan Radoiçiq, marshimi dhe vendosja e trupave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën ishte hapi i radhës i institucioneve të Serbisë për të kërcënuar integritetin territorial të vendit tonë dhe mbështetur një agresion të mundshëm ushtarak kundër Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit./21Media

 

Back to top button