Kurti: Kosova s’mund të jetë imune ndaj krizës mjedisore

Kryeministri Albin Kurti, në konferencën dhe ekspozitën e nëntë të përbashkët ballkanike për vlerën e ujit, ka deklaruar se Kosova nuk mund të jetë imune ndaj krizës mjedisore, andaj është e domosdoshme mbrojtja e burimeve ujore për zhvillim ekonomik për brezat e ardhshëm.
Kuri ka thënë se projektet e realizuara në të kaluarën, në emër të politikave mjedisore, duke ndërtuar dhjetëra hidrocentrale të vogla pa planifikim dhe llogaritje të mirëfilltë, kanë përkeqësuar gjendjen e ujërave në vend.
“Nevojitet një rishikim i thellë i qasjes sonë ndaj shfrytëzimit të ujit, ajrit, pyjeve, mjedisit e burimeve tona, me një rimendim të hapësirës publike duke u bazuar në parim të drejtësisë sociale dhe jetës së dinjitetshme”, tha Kurti, duke paralajmëruar se nuk do të ketë kompromis ndaj keqpërdoruesve të resurseve ujore dhe zaptuesve të burimeve ujore.
Kosova është vendi më i varfër në rajon sa i përket disponueshmërisë së ujërave, më saktësisht 20% të mesatares së rajonit, vetëm 20 për qind të mesatares së rajonit. Kosova ka më së paku të reshura vjetore, që për kokë banori janë 40% të mesatares së rajonit.
Uji i akumuluar për kokë banori është 290 m3 në krahasim me 696 m3 sa është mesatarja në rajon, e 42% e rajonit. Me ndryshimet klimatike, disponueshmëria me ujë pritet të bie për 20%. Në Kosovë janë shtatë kompani rajonale të ujësjellësve (KRU), që menaxhojnë dhe shpërndajnë ujin për qytetarët.
“Qasja në ujësjellës publik, të menaxhuara nga Kompanitë Rajonale të Ujësjellësve deri në fund të vitit 2022 do ta arrijë shifrën 83%, nga 79% sa është aktualisht”, tha kryeministri Kurti.
Rreth 5% të vendbanimeve mbetën pa ujësjellës, kryesisht fshatrat në zonat malore apo kufitare.
“Qeveria e Kosovës do të angazhohet drejt ndërtimit të akumulimeve të reja për të siguruar ujë të pijes dhe ujitje, zgjerimin e ujitjes, ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura dhe rritjen e qasjes në rrjetin publik të kompanive rajonale të ujësjellësve”, tha Kurti.
Për t’i avancuar këto synime, për të reformuar sektorin e ujërave, Qeveria e Kosovës ka themeluar edhe përbërjen e re të Këshillit Ndërministror për Ujërat nën kryesimin e kryeministrit Kurti dhe në përbërje të ministrave përgjegjës për resurse ujore, shërbime ujore, ujitje dhe financa.

Back to top button