Kurti kritikon SHBA-në dhe BE-në, Ukaj: Qasja e Kurtit po e dëmton Kosovën në arenën  ndërkombëtare

Kryeministri Kurti në një bisedë me “Financial Times” ka deklaruar se dallimet me  me aleatët euro-amerikanë shfaqen kur bëhet fjalë për raportet me Serbinë dhe jo rreth vlerave dhe parimeve. Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, duke arsyetuar qëndrimin e shefit të itj thotë se Bashkimi Evropian po përdorë standarde të dyfishta.

‘’Serbia po nxitet pasi nuk ka pasoja në shkeljet e marrëveshjes që ka bërë me Kosovën. Serbia duke e parë që nuk ka pasoja edhe pas sulmeve dhe pas pengesave që po bënë në mekanizmat ndërkombëtarë, unë mendojë se Serbia do të vazhdojë të shkaktojë telashe. Marrëveshja e Brukselit nuk po zbatohet sepse Serbia po tenton ta pengojë Kosovën. BE-ja po përdorë standarde të dyfishta”, tha Bajqinovci për RTV21.

Por qëndrimi i Kurtit ndaj bashkësisë ndërkombëtare nga opozita e parë me shqetësim, meqë sipas saj, kjo do ta dëmtojë Kosovën. Deputeti i LDK-së, Agim Veliu, vlerëson se pa gjetur gjuhë të përbashkët Kosova me faktorin ndërkombëtar nuk mund të arrihen synimet.

‘’ Kjo sjellje e Kurtit është e papërgjegjshme sepse Kosovës nuk i nevojitet konfrontimi me faktorin ndërkombëtarë. Me ta duhet gjetur gjuhë e përbashkët dhe e ecjes përpara. Konforntimi apo përplasja nuk janë në favor për rrugën integruese të Kosovës atje ku i kemi synimet në BE dhe në NATO”, tha Veliu.

Politologu, Fidan Ukaj, tha se fal partnerëve të Kosovës sic është SHBA-ja dhe disa vendeve të QUINT-it  Kosova ka avancuar në arenën ndërkombëtare. Por, shqetësuese për të është qasja e kritikuese e kryeministrit ndaj aleatëve.

‘’Kritika e vazhdueshme në adresë të partnereve tonë ndërkombëtar duke filluar që nga sekretari amerikan duke e quajtur naiv dhe kritika ndaj aleatëve të tjerë mendojë se është e gabueshme e cila e ka atakuar dhe  po e atakon Kosovën. Dështimi i fundit në Këshill të Evropës është pikërisht për shkak të kritikës së Kurtit në adresë të aleatëve të Kosovës”, deklaroi Ukaj.

Përfaqësuesit e pushtetit dhe të opozitës kanë qëndrime të ndryshme sa i përket koordinimit të Qeverisë me faktorin ndërkombëtar, sidomos për veriun e Kosovës.

SHBA-ja dhe BE-ja kanë shprehur kritika ndaj Qeverinë për mos koordinim për nje varg veprimesh të saj në pjesën veriore dhe së fundmi edhe për mbylljen e filialeve të bankave postare serbe në veri të Kosovës. Sipas tyre një qasje e tillë do të ndikojë në rrugën integruese të Kosovës./RTV21/21Media

Back to top button