Kurti: Kryeministri i paligjshëm nënshkroi marrëveshje me vetveten

 

Kryetari i VV-se Albin Kurti, ka thënë se marrëveshjen e nënshkruar dje në Washington, kryeministri Avdullah Hoti, siç e quan Kurti “të paligjshëm”, e ka nënshkruar me vetveten.

“Mbrëmë, në praninë e Presidentit Trump, kryeministri i paligjshëm i Kosovës dhe presidenti autokrat i Serbisë, secili, nënshkruan nga një marrëveshje me vetveten”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ndër të tjera Kurti ka theksuar se nuk ka asnjë pikë që lidhet me marrëdhëniet me Serbinë në këto letra të nënshkruara që mund të cilësohet arritje nga delegacioni nga Kosova.

“Moratoriumi për çështjen e anëtarësimeve dhe vënia në diskutim e shfrytëzimit të Ujmanit janë dështim enorm i këtyre. Të gjithë në rajonin tonë janë të vetëdijshëm që minishengeni ndihmon hegjemoninë e Serbisë në këtë pjesë të Evropës. Krimet e dëmet gjatë luftës, borxhi që na e ka Serbia, u shpërfill a harrua nga delegacioni i Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Kurti, në këtë postim pyet se “Çfarë i solli Kosovës në raport me Serbinë ky delegacion?”, “Dëm, turp e rrezik”, ka shtuar ai.

“Ish presidenti amerikan Carter dikur ka thënë se asnjë marrëveshje nuk mund të jetë afatgjatë nëse nuk fitojnë të dy palët. Por, në rrafshin ndërkombëtar mes Serbisë e Kosovës, Serbia po fiton gjithçka që synoi, ndërsa Kosova asgjë. Në rrafshin ekonomik sërish Serbia fiton më shumë, duke ju pranuar pozita e hegjemonit në rajon, kalim e tregti të lirë në Kosovë, dalje në det etj. Izraeli duhet falënderuar, por njohja mes Kosovës e Izraelit është diçka mes vendeve tona, me ndihmën e ShBA-ve. Serbia nuk ka pse përfshihet në marrëdhëniet e Kosovës me Izraelin. Nuk po e blejmë njohjen nga Izraeli duke i lëshuar sovranitet Serbisë”, ka shkruar Kurti.

Tutje ai ka thënë se “Ujmani, energjia, minishengeni, rrugët e Serbisë nëpër Kosovë, deri para pak ditësh kanë qenë të papranueshme si tema bisedimesh me Serbinë për partitë në Kosovë”.

Kurti ka shkruar se me veprimin e djeshëm është parë se fushata zgjedhore në SHBA po vazhdon.

“Ky ndërrim i faqes, tregon sa të padenjë janë. Shkuan atje me premtimin për njohje, por kur Vuçiq ka thënë se nuk ka bisedime nëse nuk eleminohet njohja, këta nuk kanë guxuar të këmbëngulin. Kanë pranuar gjithë çfarë ka kërkuar ai. Natyrisht, fushata zgjedhore në ShBA po vazhdon”, ka shkruar Kurti në Facebook. /21Media

 

Back to top button