Kurti kthehet në Kosovë, në Kroaci po qëndron Sveçla e Vitia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me zëvendëskryeministren, njëherit edhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, pasi kanë vizituar bashkatdhetarët që janë aksidentuar në Kroaci, janë kthyer në Kosovë, ndërsa në Kroaci po qëndrojnë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Nga zyra e kryeministrit kanë informuar se Sveçla e Vitia po qëndrojnë në Kroaci për të koordinuar tutje veprimet dhe të gjitha masat e nevojshme ndaj të lënduarve.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe shefi i Stafit të Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela, janë kthyer nga Kroacia, ku mbrëmë kanë vizituar bashkatdhetarët e lënduar në aksidentin tragjik, të cilët po marrin trajtim mjekësor në spitalin e Slavonski Brodit. Në Kroaci vazhdojnë të qëndrojnë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia për të koordinuar tutje veprimet dhe të gjitha masat e nevojshme për kujdesin dhe trajtimin e të gjithë udhëtarëve që janë lënduar në këtë aksident tragjik”, është bërë e ditur në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur dje në Slavonski Brod të Kroacisë kanë vdekur 10 bashkatdhetarë, 44 persona kanë marrë ndihmë mjekësore dhe prej tyre 15 janë me lëndime më të rënda.
Në nder të 10 personave të vdekur në aksident, në Prishtinë mbrëmë janë ndezur qirinj, ndërsa dita e sotme është shpallur ditë zie.

Back to top button