Kurti: Liritë e medias janë jetike, por ndjekja e rregullave të regjistrimit është detyrë ligjore

Pas vendimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për revokimin e licencës së biznesit se mediumit Klan Kosova ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në një postim në rrjetet sociale, Kurti tha se ndjekja e rregullave të regjistrimit është detyrë ligjore dhe jo teknike, teksa ka shtuar se zbatimi i rregullave të tilla kundër një shkelës, siç e cilëson ai Klan Kosovën, nuk e rrezikon pluralizimin mediatik.

“Kosova ka 468 biznese të regjistruara, aktiviteti primar i të cilave është media dhe 114 kompani të licencuara audio apo audiovizive. Ndjekja e rregullave të regjistrimit është një detyrë ligjore, jo një “teknikitet”. Dhe zbatimi i rregullave të tilla kundër një shkelësi të vetëm nuk kërcënon pluralizmin mediatik”, ka shkruar ai në një postim në “Twitter”.

Ai tha se mbështet veprimet e organeve që mund te çojnë në mbylljen e Klan Kosovës.

Kurti tutje tha se një sulm ndaj mediave është sulm ndaj demokracisë.

“Liritë e medias janë jetike: një sulm ndaj tyre është një sulm ndaj demokracisë. Por demokracia gjithashtu sulmohet kur biznesmenë të fuqishëm shkelin ligjin për përfitime financiare. Dhe zbatimi i ligjit kundër shkeljeve të njerëzve të tillë – në asnjë mënyrë – nuk përbën një sulm ndaj lirisë së medias”, ka shkruar më tutje Kurti./21Media

Back to top button