Kurti: Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, e mundshme deri në fund të vitit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pak orë para takimit në Bruksel ka deklaruar se Kosova dhe Serbia synojnë të përfundojnë një marrëveshje historike për normalizimin e marrëdhënieve “këtë vit”.
Në një intervistë për Euractiv, Kurti ka deklaruar se  “Ne kemi nevojë për normalizim të marrëdhënieve dhe kjo mund të arrihet me njohjen reciproke si pikën kryesore. Beogradi ka qenë i bindur se nuk do ta njihte zyrtarisht pavarësinë e ish-krahinës, megjithëse mund të pajtohet për një njohje ‘de facto’, tha Kurti
I pyetur për perspektivën e përfundimit të një marrëveshjeje deri në fund të këtij viti, sipas afatit kohor që është përcaktuar në propozimin e BE-së, Kurti tha, “sigurisht që synimi është që kjo marrëveshje të arrihet këtë vit”.
“Ajo që ka mbetur për të negociuar – dhe nuk do të jetë aspak e lehtë – është një mekanizëm për zbatim, garanci ndërkombëtare dhe sekuencë kohore se çfarë, si dhe kur”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot do ta zhvillojnë takimin e nivelit të lartë në Bruksel, nën ndërmjetësimin e të dërguarit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, sipas informacioneve të para, pritet të takohet me kryeministrin Albin Kurti në orën 15:00.
Ndërsa, në orën 16:15, Borrell pritet të zhvillojë takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Pas takimeve të ndara, në orën 17:15, Josep Borrell do të zhvillojë takim të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq./21Media

Back to top button