Kurti mburret për 100 ditët: Janë kthesë drejt zhvillimit

 
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është mburrur për punën e ekzekutivit në 100 ditët e para të punës. Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti tha se kanë përmbushur premtimin bazë për menaxhimin me pandeminë dhe sigurimin e vaksinave për Covid 19.
Para vartësve të tij, kreu qeveritar përmendi si sukses “ringjalljen” ekonomike, angazhimin në implementimin e zotimeve për drejtësi dhe sundim të ligjit, si dhe depolitizimin e institucioneve dhe ndërmarrjeve publike. Megjithatë, theksoi se ky është vetëm fillimi dhe se s’ka vend për relaksim, pasi, sipas tij suksesin do ta shohin me pritjet e qytetarëve dhe jo me qeveritë e kaluara. Këto 100 ditë, Kurti i quajti kthesë drejtë zhvillimit të së ardhmes.
Në mbledhjen e 18-të qeveritare, Kurti tha se në 100 ditë kanë marrë 142 vendime dhe kanë kaluar projektligje dhe dokumente të rëndësishme. Ani pse tha se është përmbushur zotimi për menaxhimin me pandeminë, i pari i Qeverisë tha se e njëjta ende nuk ka mbaruar dhe ekziston ende rreziku nga COVID-19.
Buxhetin e rishikuar gjatë javës së kaluar, Kurti tha se do ta mundësojë ringjalljen ekonomike, derisa paraqiti shifra ta pakos së re të rimëkëmbjes.
Duke përmendur vendimet për sundim të ligjit, Kryeministri Kurti tha se do të jenë të pa kompromis në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Lidhur me shkarkimet dhe emërimet në ndërmarrjet publike, kreu qeveritar tha se kjo do t’i shlirojë ato nga grupet e interesit dhe se do të emërojnë profesionistë.
Megjithatë, Kurti tha se ky është vetëm fillimi dhe iu tha ministrave se vend për relaksim s’ka.

Back to top button