Kurti me KFOR-in dhe EULEX-in u dakorduan se s’duhet të ketë barrikada

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim komandantin e Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia dhe Shefin e EULEX-it, z. Lars Gunnar Wigemark.
Në takimin e përbashkët me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u bisedua për bashkëpunimin e afërt ndërmjet Qeverisë së Kosovës, Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe misionit EULEX, përbrenda mandateve që kanë. U fol edhe lidhur me veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend.
“Konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë. Gjatë takimit u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe bashkërendimin e veprimeve, në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Tutje thuhet se gjatë këtij takimi u theksua profesionalizmi, maturia dhe guximi i dëshmuar i Policisë së Kosovës, në ruajtje të sigurisë dhe rendit publik në mbarë territorin e Kosovës./21Media

Back to top button