Kurti: Me qeverinë e re ndryshon qasja ndaj çështjes së personave të pagjetur
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti sot priti në takim kryetarin e Kryqit të Kuq në Kosovë, Agim Gashin, me ç’rast ky i fundit e uroi Kurtin për fitoren në zgjedhje.
Kurti, siç informoi VV, ndau bindjen që me qeverinë e re që do të formohet shumë shpejtë, do të vazhdojë bashkëpunim i mirë dhe i frytshëm me Kryqin e Kuq.
“Tutje, temë qendrore në këtë takim ishte çështja e të pagjeturve, ku z. Gashi na njoftoi mbi marrëveshjen e bashkëpunimit me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, për shkëmbimin e të dhënave sa i përket kësaj kategorie dhe për ecurinë e grupit punues që merret me çështjen e të pagjeturve.”, u bë e ditur në postimin e VV-së në facebook.
Kurti tha se në raport dhe dialog me Serbinë çështja e të pagjeturve nuk e ka marrë vëmendjen e duhur. Sipas njoftimit, Kurti theksoi se me qeverinë e re kjo do të ndryshojë dhe se dialogu do të jetë i përgatitur mirë e parimor.
“Në fund, palët u dakorduan ta thellojnë bashkëpunimin me t’u formuar qeveria e re.”, bëri të ditur tutje VV./21Media