Kurti merr pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për gratë e arta të Kosovës

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për gratë e arta të Kosovës, ngjarje kjo e organizuar nga kabineti i zëvendëskryeministres Rexhepi dhe NGO “Lady”.

Në fjalën e tij, Kurti tha se po nderojmë gra të jashtëzakonshme për përkushtimin e tyre të palëkundur, për të kremtuar arritjet dhe kontributin e 63 grave të shquara në fusha të ndryshme, nga komunitetet tona.

Duke theksuar mbështetjen e Qeverisë, kryeministri theksoi se për vajzat studente kemi ndarë mbi 4600 bursa në fushat STEM- Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë, e cila ka bërë që pjesëmarrja e vajzave në këto fusha, të arrijë në 50% në Kosovë, ndërkohë që mesatarja në vendet e Bashkimit Evropian është 17%.

Ai përmendi edhe shtesat për fëmijë dhe nënat e reja lehona, duke thënë se deri më tani, kanë përfituar mbi 387 mijë fëmijë dhe 50 mijë nëna të reja.

Ai përmendi dhe skemën “Qeveria për Familjet” dhe veçorinë e re të shtuar, që ka cak punësimin e të mbijetuarave të dhunës në familje, thuhet në njoftim.

Në përfundim, ai fuqizoi mesazhin se arritjet e grave janë një dëshmi e fuqisë së unitetit dhe potencialit të jashtëzakonshëm dhe se vlerësimi i merituar për këto arritje, duhet të na shërbejnë si kujtesë për atë që mund të arrijmë së bashku.

“Le të vazhdojmë të mbështesim njëri-tjetrin, sepse së bashku do të krijojmë një të ardhme më të drejtë për të gjithë. Historitë e juaja do të vazhdojnë të na frymëzojnë, për lartësi të reja në rrugën e barazisë dhe të progresit”, është shprehur Kurti në fjalimin e tij.

Back to top button