Kurti mohon akuzat e zyrtarëve të lartë rus se Kosova ka dërguar luftëtarë në Ukrainë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një intervistë me BBC World News Service në të cilën ka folur për lidhjet e afërta politike, ekonomike dhe ushtarake ndërmjet Serbisë dhe Rusisë dhe rrezikun që ato paraqesin për Ballkanin Perëndimor si dhe për dezinformimin si formë e luftës hibride në rajon. Ai i mohoi akuzat e zyrtarëve të lartë rus se Kosova ka dërguar luftëtarë për t’iu bashkuar trupave ukrainase sikurse edhe pretendimet e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavror se veprimet e Rusisë në Ukrainë janë njësoj me ato të intervenimit të ShBA-së dhe NATO-s në Kosovë në vitin 1999.
“Në mesin e viteve ’90 ne patëm gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë. Në fund të viteve ’90, 19 vende të NATO-s u bashkuan për të ndaluar gjenocidin në Kosovë. Ishte gjenocidi i dytë në Evropën kontinentale që nga Lufta e Dytë Botërore. 19 vende arritën konsensus për të bombarduar Jugosllavinë dhe Serbinë. Duhet të ketë qenë shumë keq sepse 19 shtete i thanë po bombardimit të një vendi dhe falë ndërhyrjes së NATO-s gjenocidi serb në Kosovë u ndal. Më herët se në pranverën e vitit 1999 kemi pasur 20 mijë gra të dhunuara nga policët dhe ushtarët serbë. 860 mijë persona u deportuan jashtë vendit tonë, 80% e popullsisë u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Kemi ende sot 1600 persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës. Dhe mbi 12 mijë civilë të paarmatosur janë vrarë dhe nuk ka drejtësi për të gjitha këto mizori. Dhe NATO ndërhyri atëherë”, deklaroi kryeministri Kurti.
Ndër të tjera, ai foli edhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, për çka tha se e duam ndihmën e Evropës Perëndimore, ShBA-së dhe Britanisë së Madhe për të arritur anëtarësimin e Kosovës sa më shpejt./21Media

Back to top button