Kurti mori pjesë në ceremoninë “Laureatët 2024” të organizuar nga Federata e Handbollit

Federata e Hendbollit të Kosovës, organizoi sonte ceremoninë e shpalljes së më të mirëve në këtë sport, ku i ftuar ishte edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe zëvendësministrja, Daulina Osmani.
Duke e cilësuar si një ngjarje të rëndësishme, kryeministri Kurti tha se me punën dhe profesionalizmin, Federata e Hendbollit e Kosovës, është treguar shembull për shumë aspekte, e kjo është dëshmuar edhe me rezultatet e arritura në arenën ndërkombëtare.
“Hendbolli në Kosovë është në një fazë të rëndësishme zhvillimi. Përfaqësueset dhe klubet tona po shfaqin gjithnjë e më shumë potencialin e tyre, duke treguar paraqitje dinjitoze në secilën ndeshje ndërkombëtare. Kualifikimi historik i vajzave nën 18 vjeç në Kampionatin Botëror, ka rritur ambiciet edhe tek ekipet e tjera për të synuar nivele të larta në garat elitare”, u shpreh kryeministri Kurti.
Ai gjithashtu theksoi se organizimi i suksesshëm i Kampionatit Evropian për grupmoshat U18 dhe U20 te meshkujt ka hapur rrugë për ngjarje tjera të mëdha, siç është Kampionati Evropian U17 për vajza, të cilin Kosova e fitoi të drejtën e organizimit për vitin e ardhshëm.
Kryeministri kujtoi kontributin e jashtëzakonshëm të tashmë të ndjerit Izet Gjinovci, ish-Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, në procesin e anëtarësimit të Federatës së Hendbollit të Kosovës në Federatën Evropiane dhe Federatën Ndërkombëtare të Hendbollit.
Për fund, ai përgëzoi të gjithë laureatët e zgjedhur sot, të cilët janë shembulli më i mirë i punës, dhe i pasionit, dhe uroi që këto vlerësime të jenë shtysë e mëtejshme për arritje edhe më të mëdha në të ardhmen.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?