Kurti mori pjesë në ekspozitën e hapur në nderim të veprimtarëve Gërvalla, Zeka, Mala e Berisha
Pas ceremonisë së hapjes së manifestimit tradicional kulturor, të 31-in me radhë, ”Flaka e Janarit 2022”, që kësaj here ju kushtua veprimtarëve të çështjes kombëtare Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, kryeministri, Albin Kurti, vizitoi ekspozitën e hapur në Teatrin e Gjilanit, të titulluar ”Rezistenca”, ku janë ekspozuar pikturat e 61 artistëve kosovarë.
Në fjalën e rastit, Kurti e vlerësoi të qëlluar hapjen e ekspozitës, duke e pasur parasysh që veprimtarët Gërvalla, Zeka, Mala e Berisha, përveçse veprimtarë të çështjes kombëtare ishin edhe krijues artistikë.
Kryeministri tregoi që gjatë vizitës që i bëri kullës së Gërvallajve në fshatin Dubovik dhe te varret e tyre te një bli i cili, siç tha ai, është aq i vjetër sa që askush nuk e di as është i vjetër, ka parë orenditë dhe gjësendet e tjera të Jusufit e Bardhoshit, në mesin e të cilave ka shumë instrumente artistike.
”Aty ka kitarë, por ka gjithashtu edhe ditarë, ka prozë e poezi, por ka edhe këngë. E shumë mirë që pas akademisë përkujtimore që u bë në përkujdesjen time sot në Prishtinë e kësaj që u bë sot në Gjilan, bashkë me kryetarin e Gjilanit Alban Hyseni erdhëm në këtë galeri, meqenëse të gjithë veprimtarët kanë qenë jo vetëm krijues shoqërorë, por edhe artistikë”, tha Kurti.
Kryeministri theksoi se përveç shkrimeve, fjalimeve që ata i kanë prodhuar, përveç këngëve që i kanë kompozuar dhe i kanë kënduar, është e domosdoshme që ta kemi edhe pikturën e vizatimin, të gjitha këto krijime që janë shprehje e shpirtit krijues të brezit aktual, në mënyrë që përvojat tona jetësore që i kemi, ndjenjat, ndjesitë, ndjeshmëritë edhe në këtë formë t’ia paraqesim dhe t’ia komunikojmë njëri-tjetrit.
”Unë besoj që e kam parë gjysmën e kësaj ekspozite. Po pres që ta shoh edhe gjysmën tjetër në këtë anë, por mund të them se këtu ka talent, ka shumë entuziazëm, i cili duhet të mbështetet edhe nga institucionet lokale edhe ato qendrore për shkak se njerëzit të cilët prodhojnë, krijojnë e ndërtojnë që ta bëjnë vendin tonë edhe më të jetueshëm, edhe më të dashur”, tha tutje Kurti.
Ai iu falënderua të gjithë atyre që mbështetën ekspozitën dhe morën pjesë aty, sepse siç tha ai, galeria nuk është vetëm bashkësi e punimeve artistike, por edhe komunitet i njerëzve artdashës./21Media