Kurti: Ndërkombëtarët të mbështesin institucionet e Kosovës për t’i sjellë para drejtësisë sulmuesit në veri

Kryeministri Albin Kurti u ka kërkuar institucioneve dhe diplomatët ndërkombëtarë që të mbajnë qëndrim dhe të mbështesin institucionet e Kosovës, për t’i sjellë para drejtësisë të gjithë sulmuesit e Policisë së Kosovës, KFOR-it e “sidomos gazetarëve”.
Kurti tha se grupe ekstremistësh të kontrolluara nga Beogradi nuk po e durojnë dot as policinë e as gazetarët. Reagimi i tij vjen pas sulmeve brutale që sot gazetarët pësuan nga bandat kriminale serbe në veri.
“Policia e Kosovës i shërben drejtësisë dhe ligjit, gazetaria e Kosovës i shërben demokracisë dhe transparencës”, shkroi Kurti në Facebook.
Kameramani Bardh Bekteshi dhe gazetarja Dorentina Thaqi, kanë pësuar lëndime në kokë dhe trup. Kameramanët tjerë, Albin Rrahmani dhe Ardijan Shala kanë pësuar lëndime në trup. Në këmbë janë lënduar gazetaret, Laura Kerolli e Qendresa Sinani, kurse në krah ka marrë lëndime gazetari Pleurat Salihu, tregoi Kurti.
“Urojmë shërim të shpejtë për kameramanët dhe gazetarët”, tha tutje ai. /21Media