Kurti: Ne mbështetemi në NATO dhe SHBA, Serbia në Rusinë dhe Kinën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tse nuk i frikësohet ndërhyrjes ushtarake të Serbisë në Kosovë edhe pse nuk e përjashton këtë mundësi. Ai tha se në atë rast “rezistenca do të ishte e suksesshme” dhe se mbështetet në NATO, SHBA dhe BE. Ndryshe nga Kosova, siç tha Kurti, Serbia do të llogariste në Rusinë dhe Kinën.

Kurti për “N1 Sarajeva” ka vlerësuar se shumë gjeneralë dhe zyrtarë serbë do të donin ta sulmonin Kosovën, por “nuk duhet”…

“Kjo nuk do të thotë se ata nuk shpresojnë në rrethana të reja në të ardhmen kur mund të sulmojnë. Serbia e di se situata nuk është si 20 vjet më parë. Rezistenca jonë do të ishte e suksesshme në atë rast” , tha ai.

Kryeministri i Kosovës ka theksuar se në një skenar kaq të errët do të priste ndihmën e NATO-s, SHBA-së dhe Bashkimit Evropian. Po Serbia?

“Disa muaj para agresionit rus në Ukrainë, në fund të shtatorit 2021, ministri i Mbrojtjes i Serbisë së bashku me ambasadorin rus kanë ardhur në kufirin e Kosovës ku kanë vizituar forcat ushtarake serbe. Në atë kohë u ndërtua edhe MiG-29. Në atë kohë ne ishim në kontakt të rregullt me NATO-n dhe KFOR-in sepse Serbia donte të dërgonte mesazhin se së bashku me Rusinë mund ta ripushtonte Kosovën. Muajt e fundit ata kanë marrë armë nga Kina. Pra, Serbia mbështet në Rusinë dhe Kinën, dhe kur ata llogarisin në to, ne llogarisim edhe në NATO, SHBA dhe BE”, tha Kurti.

Kurti ka përsëritur se beson se Serbia “nuk do të lejohet” të nisë ofensivë, edhe pse nuk e përjashton absolutisht atë sepse “kanë 48 baza rreth kufirit tonë”.

“Një nga arsyet pse Serbia thotë se nuk do ta njohë Kosovën është sepse dëshiron të ketë marrëdhënie më të mira me Rusinë dhe Kinën. Serbia kur e thotë këtë, nuk po na thotë neve, por Rusisë, sepse dëshiron t’i thotë Moskës se do të vazhdojë të jetë guvernatori i saj edhe pse i merr paratë e BE-së”, përfundoi kryeministri i Kosovës./21Media

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button