Kurti në Norvegji, ftoi për më shumë investime për energji të ripërtëritshme

Burimet natyrore, popullsia e re dhe e talentuar, si dhe pozita e mirë gjeografike e Republikës së Kosovës, u veçuan nga kryeministri Kurti si potencial i madh për investim nga kompanitë norvegjeze, në takimin me Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë së Norvegjisë, Jan Christian Vestre.
Kryeministri Albin Kurti, theksoi synimin dhe nevojën e vendit për rritjen e kapaciteteve dhe diversifikimin e energjisë elektrike, me vëmendje të veçantë te burimet e ripërtëritshme. Ai, siç informoi sot Zyra e Kryeministrit, ftoi edhe për më shumë investime për energji të ripërtëritshme, me fokus të veçantë në atë diellore, të erës dhe ujit, si dhe në sektorin e minierave dhe mineraleve.
Kryeministri shtroi kërkesën dhe nevojën për të avancuar bashkëpunimin me zonën ekonomike EFTA duke kaluar nga Deklarata e Përbashkët në Marrëveshje Tregtare. Kjo kërkesë u mirëprit nga Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vestre, i cili shprehu gatishmërinë e palës norvegjeze për të filluar negociatat dhe për të përfunduar me marrëveshje sa më shpejtë.
“Ministri Vestre tha se reformat e nisura nga Qeveria e Republikës së Kosovës janë mbresëlënëse. Ai shprehu interesimin për të shtuar partneritetin mes dy vendeve, duke identifikuar fusha të reja të rritjes së bashkëpunimit dhe mundësinë e vizitës së një delegacioni me kompani norvegjeze në Kosovë.”, u bë e ditur në komunikatë./21Media
 

Back to top button