Kurti në përvjetorin e KiE-së: Ky vit shënon plotësimin e kritereve nga Kosova

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ky vit do të shënojë njohjen e Kosovës si vend që i plotëson kushtet për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, derisa ka përmend se sot janë bërë 75 vjet nga themelimi i këtij institucioni të Bashkimit Evropian.

Kurti ka shkruar në rrjetin social X se KiE-ja është “organizata kryesore e kontinentit për të drejtat e njeriut”.

“Sot, 75 vjet më parë, u themelua Këshilli i Evropës organizata kryesore e kontinentit për të drejtat e njeriut. Ky vit shënon njohjen e Kosovës si një shtet që i përmbush kriteret për t’iu bashkuar, duke nënkuptuar forcën e demokracisë sonë, sundimin e ligjit dhe përgjegjësinë e përbashkët ndaj të drejtave të njeriut”, ka deklaruar Kurti.

Shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës e ka mbështetur Kosovën më 16 prill për anëtarësim në Këshill të Evropës me seli në Strasburg.

Për votuan 131 deputetë, kundër ishin 29, kurse 11 abstenuan.

Çështja tashmë kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.

Deputetët e Asamblesë së KiE-së kanë kërkuar që të merren hapa që dëshmojnë vullnetin e mirë të institucioneve të Kosovës drejt zbatimit të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe si zotim i palës kosovare.

Back to top button