Kurti: Në pesë muajt e fundit janë rritur të hyrat buxhetore

 
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se prioritet në Qeverinë e tij ka arsimin dhe aftësimin profesional, duke shtuar se një marrëdhënie e fortë dhe institucionale midis sistemit të arsimit dhe aftësimit profesional dhe sektorit privat është parakusht i domosdoshëm për sistem të suksesshëm të AAP-së.
Këtë ai e tha në hapje të Samitit dyditor të Arsimit dhe Aftësimit në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren

“Në rastin e Kosovës faktor mbështetës në transformimin e AAP-së do të jetë përfshirja e diasporës, e cila do të sjellë përvojat nga shtetet gjermanofolëse dhe bashkërisht do të angazhohemi që t’i përshtatim këto praktika në kontekstin tonë. Samiti me temën ‘AAP si promotor i transformimit ekonomik dhe industrializimit të Kosovës’, i organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, ka për qëllim diskutimin mbi rolin kyç të arsimit dhe aftësimit profesional në rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës”, ka thënë tutje ai.
Kurti ka thënë se pesëmujorit të fundit situata ekonomike në Kosovë është përmirësuar dukshëm, krahasuar me pesëmujorin e vitit të shkuar. Sipas tij aktiviteti ekonomik është shtuar për 15%, eksportet janë rritur për 66%, po ashtu janë rritur edhe për 30% të hyrat buxhetore.
Perspektiva ekonomike pra na bën optimist për të ardhmen. Rritja ekonomike sivjet shkon në 7.9% të Bruto Produktit Vendor. Këtë tani duhet ta ndjekim edhe me implementimin e Sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional që e luan një rol vendimtar në plotësimin e hendekut të shkathtësive. Tek ne jo vetëm që e kemi papunësinë e lartë, por fatkeqësisht edhe një pjesë e mirë e atyre që janë të punësuar, këtë nuk e kryejnë në profesionin e tyre për çfarë e kanë kryer shkollimin e lartë apo edhe të mesëm. Arsimi dhe Aftësimi Profesional e mbanë çelësin e progresit teknologjik, industrializimit të shpejtë, shtimit të vendeve të punës, krijimit të pasurisë, uljes së varfërisë dhe zbutjes së pabarazisë”, ka thënë Kurti ndër tjera.
Si avantazh ai ka renditur mërgatën, për të cilën thotë se është e lidhur me vendin si pak mërgata në botë. Sipas tij, numri i bashkatdhetarëve që vijnë më shumë se një herë në vit në vendlindje është tejet i madh.
“Një mërgatë nga e cila ne mund të mësojmë shumë. Edhe unë për vete, Arsimin dhe Aftësimin Profesional e kam mësuar para disa viteve, nga një mërgimtare e jona nga Zvicra e cila më shpjegoi sistemin e trajnimit dual dhe përfitimet nga ky sistem. Mërgata jonë nga shtetet gjermanofolëse i di më së miri përparësitë dhe faktorët kyç të një sistemi të zhvilluar të edukimit dual. Andaj fillimi i një bashkëpunimi të tillë shpresoj të rezultojë me sukses përmes sjelljes së përvojave të mira në Kosovë si dhe përshtatjes së tyre në kontekstin e vendit tonë”, ka thënë Kurti.
Avantazhi i dytë sipas tij, qëndron te demografia, duke thënë se Kosova ka popullin më të ri në Evropë.
Kurti ka thënë se përkundër raportimeve zyrtare për papunësi të madhe ekziston paradoksi, sepse sipas tij, bizneset respektivisht industria nuk ka mundur t’i plotësojë vendet e lira të punës me punëtorë të kualifikuar. Këto sinjale, sipas Kurtit, kanë bërë të ditur që sistemi i Arsimit dhe Aftësimit Profesional pa marrë parasysh që është nënshtruar reformave të shumta, nuk ka arritur që t’i përshtatet nevojave të industrisë./21Media 
Back to top button