Kurti në takim me O’Brien: Dorëzimi i Radoiçiqit, drejtësi e siguri

(Lajm i përditësuar)
Kurti në takim me O’Brien: Dorëzimi i Radoiçiqit, drejtësi e siguri
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se në takim me O’Brien Kryeministri Albin Kurti, është shprehur se dorëzimi i kryeterroristit serb, Milan Radoiçiq dhe i grupit të tij paramilitar do të nënkuptonte ligjshmëri, drejtësi, paqe dhe siguri.
Kurti ka thënë se nënshkrimi i Marrëveshjes Bazë është dëshmi e nevojshme e vullnetit të mirë dhe e mirëbesimit nga ana e Serbisë “për përmbushje të shpejtë dhe respektim të plotë të saj dhe të Aneksit”.
“Në këtë takim u diskutua edhe rreth raporteve me Serbinë, procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj. Nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike është dëshmia e nevojshme e vullnetit të mirë dhe mirëbesimit nga ana e Serbisë për përmbushjen e shpejtë dhe respektimin e plotë të saj e të Aneksit të zbatimit. Po ashtu, për ligjshmëri e drejtësi, paqe e siguri, nevojitet dorëzimi i kryeterroristit Milan Radoiçiq dhe grupit të tij paramilitar”, ka thënë Kurti, thuhet në komunikatën për media.
Në takim me zyrtarin O’Brien ka qenë edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Kurti gjithashtu u tha se ka folur për rolin historik dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën dhe popullin.
Përfundon takimi i Kurtit me O’ Brien
Ka përfunduar takimi mes kryeminsitrit, Albin Kurtit dhe Ndihmës Sekretarit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O’Brien.
Takimi u mbajt për dy orë e gjysmë në ndërtesën e Qeverisë.
Pas takimit nuk ka pasur deklarime për media.
O’ Brien mbërrin në Qeveri
Ka mbërritur në ndërtesën e Qeverisë Ndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O’Brien. Siç shihet nga pamjet e siguruara nga RTV21, ai është i shoqëruar nga ambasadori amerikan në Kosovë Jeff Hovenier.
Konfirmohet takimi i sotëm Kurti – O’ Brien
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do ta presë në takim sot Ndihmës Sekretarin për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O’Brien
Siç njofton Zyra e Kryeministrit , takimi do të mbahet në ndërtesën e Qeverisë në ora 15:00.
O’ Brein të dielën ka qëndruar në Beograd, ku nga atje ka thënë se themelimi i Asociacionit është hap i rëndësishëm./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?