Kurti ngushëllon familjen Gashi për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Adem Gashi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot gjatë paradites qëndroi për vizitë te familja e poetit të njohur, Adem Gashi, i cili u nda nga jeta të martën e 16 janarit.

Në njoftimin e Zyrës së Kreministrit thuhet se kryeministri Kurti u shpreh se Adem Gashi, ishte “mik i popullit shqiptar, i vuajtjeve të shoqërisë tonë, i Kosovës së tij e tonë të dashur, dhe rrjedhimisht i secilit prej neve”.

“Vepra e tij, për ne dhe kujtimet tona për të janë gjurmë të thella që bëjnë dritë. Mendja e mprehtë, puna e zellshme, atdhedashuria e paepur dhe miqësia e përhershme e shkrimtarit Adem Gashi, janë kontribut fort i çmueshëm për kombin dhe shoqërinë tonë”, ka shkruar kështu kryeministri në librin e zisë, gjatë vizitës së tij tek familja Gashi.

Tutje kryeministri shtoi se të ndjerin do ta kujtojmë me respekt për punën, përkushtimin dhe  gjurmët e thella që ka lënë te populli ynë, duke theksuar se veprat e tij janë ato që do të bëjnë përherë dritë për kontributin e dhënë për Kosovën e tij të dashur.

“Jemi borxhli, përgjegjës, që kontributin e tij ta vazhdojmë me sjelljen dhe veprimet tona të përgjegjshme në kuadër të idealeve të përbashkëta”, tha në fund kryeministri Kurti.

Në këtë vizitë për ngushëllime, bashkë me kryeministrin Kurti ishin edhe deputetët e Kuvendit, Avni Dehari, Enver Dugolli, Shqipe Selimi, Gani Krasniqi dhe Hydajet Hyseni.

Back to top button