Zelensky falënderon Ramën për qëndrimin kundër Rusisë

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për qëndrimin që po mban kundër agresionit të Rusisë në Ukrainë.

“Kam folur me kryeministrin Edi Rama për ta falënderuar për qëndrimin e vendosur të Shqipërisë ndaj agresionit rus ndaj Ukrainës dhe mbështetjen për vendin tonë, si dhe mbështetjen e mbrojtjes dhe atë politike. Përfaqësues të Shqipërisë morën pjesë në takimin e katërt të Formulës së Paqes në Davos. Detyra jonë aktuale është të përgatitemi për Samitin Global të Paqes dhe ne mbështetemi në pjesëmarrjen aktive të partnerëve tanë, përfshirë Shqipërinë”, ka shkruar Zelensky në platformën X

Zelensky ka shpalosur një pjesë të bisedës me Ramën ku ka thënë se biseduan edhe për thellimin e dialohut Ukrainë- Ballkan.

“Ne diskutuam gjithashtu mënyrat për të thelluar dialogun Ukrainë-Ballkan dhe për të avancuar bashkëpunimin tonë me karakter mbrojtës. Theksova gjithashtu rëndësinë e vazhdimit dhe zgjerimit të programeve të trajnimit të ushtarëve ukrainas me pjesëmarrjen e Shqipërisë”, ka shkruar Zelensky.

Më 30 dhjetor të vitit të kaluar Zelensky ka ndarë dekret shtetëror për Ramën me të cilin i ka dhënë vlerësimin e klasit më të lartë, për kontributin e rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror si dhe mbështetjen e sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Ukrainës./21Media

Back to top button