Kurti nisi mbledhjen duke folur për vrasjen e 18-vjeçares: Nuk guxoj t’i mendoj orët e fundit të saj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbledhjen e sotme të qeverisë e filloi duke folur për rastin tragjik të vajzës 18-vjeçare nga Ferizaj, e cila u vra të dielën
Kurti u shpreh se indiferenca nga rrethi shoqëror dhe organet e drejtësisë e instaluar ndër vite ka bërë të ketë gra viktima të një dhune të tmerrshme.
Shefi i ekzekutivit tha se veprime të tilla nuk duhet të përsëriten dhe theksoi nevojën e domosdoshme që mos të shtohen viktima të tilla.
“Unë nuk guxoj t’i mendoj orët e tmerrshme, të fundit të jetës së një vajze të brishtë e të re, nuk guxoj. Kjo gjë nuk duhet të ndodh më, pas një veprimi të tillë na shuhen shpresat e na bien fuqitë. Vrasësi nuk ka njohur asgjë nga Marigona, veç moshës së saj, ai nuk ka parë asgjë të bukur. Viktimën e njohëm nga humbja e saj, nga dhuna që u shtrua mbi të, kurse të dyshuarin për vrasjen e saj nga biografia e tij, kjo është gjendja jonë shoqërore e jashtëzakonshme, një indiferencë e përgjithshme nga rrethi shoqëror dhe organet e drejtësisë, e instaluar ndër vite e vite ka bërë që në kokat tona të mbetën emra grash viktima të një dhune të tmerrshme”, tha Kurti.
Kryeministri u shpreh se drejtësia është çështje e shoqërisë në tërësi dhe se baza e saj është respekti ndaj të tjerëve.
“Duhet edukuar shpirti dhe arsyeja, nuk mund të tolerohen më xhepa të çmendurisë vrastare dhe as indiferenca. Drejtësia është çështje e shoqërisë në tërësi, baza e drejtësisë është respekti i tjetrës, i tjetrit, i njeriut. Sot ngushëllojmë familjarët e Marigonës, por ngushëllimi në raste të tilla të vdekjes mizore i takon secilit prej nesh, ndërkaq përgjegjësia e tërë trupës shoqërore”, deklaroi ai.
Policia e Kosovës ka arrestuar Dardan Karaqevën dhe Arbër Sejdiun për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani në Ferizaj. Të njëjtit e kishin lënë të dielën 18 vjeçaren pa shenja jetë, pranë emergjencës në këtë Ferizaj.

Back to top button