9 persona u lënduan sot në aksidente në rajonin e Pejës

Nëntë persona u lënduan sot në mëngjes në rajonin e Pejës si pasojë e aksidenteve në komunikacion. Lajmin për rtv21.tv e konfirmoi zëdhënësi i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, Fadil Gashi, i cili bëri të ditur se ndodhën dy aksidente dhe dy vetaksidente.
Sipas Gashit, si pasojë e një aksidenti që ndodhi në Novosellë u lënduan 3 persona, derisa në aksident ishin të përfshira dy vetura. Një aksident tjetër, për të cilin pak minuta më parë informoi rtv21.tv, ndodhi në fshatin Gllaviqicë të Pejës, ku u lënduan 4 persona.
Të lënduarit u dërguan në emergjencë për tretman mjekësor.
Gjatë mëngjesit të sotëm ndodhën edhe dy vetaksidente. Sipas zëdhënësit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, Fadil Gashit, një vetaksident ndodhi në Strellc të Deçanit, ku vozitësi pësoi lëndime, derisa vetaksidenti tjetër ndodhi në magjistralen Pejë-Prishtinë, në Gllarevë, ku u lëndua një person.
Të lënduarit u dërguan në emergjencë për tretman mjekësor.
Policia apelon vozitësit që të kenë kujdes të shtuar, sidomos pas ndryshimit të kushteve atmosferike./21Media

Back to top button