Kurti: Normalizimi i raporteve me Serbinë është i vështirë, por i mundur

(Lajm i përditësuar)


Kurti: Normalizimi i raporteve me Serbinë është i vështirë, por i mundur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se shteti i tij është për normalizimin e raporteve me Serbinë dhe se kjo është e mundur, por homologia e tij serbe, Ana Bërnabiq, tha se prioritet për Beogradin është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Unë dua të normalizoj raportet dhe do ta bëja menjëherë këtë nëse, për shembull, fqinji im do të ishte Republika Çeke. Por, normalizimi i raporteve me Serbinë është më i vështirë. Mund të ndodhë sepse ne duhet të zbatojmë Marrëveshjen Bazë për të cilën presidenti serb dhe unë u pajtuam në Bruksel. Por, normalizimi në psikologji nënkupton mungesë të konfuzionit midis realitetit dhe fantazisë. Në këtë drejtim, nuk mund të kontribuojë”, tha Kurti gjatë panelit të liderëve në Forumin Strategjik të Bledit.

Kurti iu referua Marrëveshjes drejt normalizimit që Kosova dhe Serbia arritën në shkurt në Bruksel. Një muaj më pas, palët u pajtuan në Ohër për Aneksin e zbatimit të saj.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Bërnabiq, që ishte e pranishme në panelin e njëjtë, sërish përsëriti qëndrimin se Kosova është pjesë e Serbisë dhe insistoi se hapi i parë drejt normalizimit është themelimi i Asociacionit.

“Normalizimi nis me Marrëveshjen e Brukselit, të nënshkruar në prill të vitit 2013, si marrëveshje e parë për normalizim midis Beogradit dhe Prishtinës, të cilën e kanë nënshkruar edhe zyrtarët e BE-së. E vetmja gjë që Prishtina duhej të bënte në bazë të Marrëveshjes së parë të Brukselit, ishte themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pothuajse 11 vjet më vonë, ky Asociacion nuk është themeluar. Dhe zoti Kurti thotë se Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston për të. Dua t’ua rikujtoj, ajo ka qenë marrëveshja e parë e normalizimit të raporteve dhe duhet të zbatohet. BE-ja është garantuesja për zbatimin e plotë të asaj marrëveshjeje. Ajo që po presim është Asociacioni”, tha ajo. /REL


Kurti: Atmosfera me pesë vendet mosnjohëse të BE-së, më e mirë se më parë

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se atmosfera me pesë vendet mosnjohëse të BE-së është më e mirë se që ka qenë më parë.

Në Forumin Strategjik të Bledit, i pari i Qeverisë tha se shpreson që pesë vendet të ndryshojnë qëndrimin e tyre dhe t’i bashkohen shumicës së vendeve njohëse.

“Janë disa hapa të vegjël konkretë dhe shpresojmë që ata të ndryshojnë qëndrimin e tyre dhe në këtë mënyrë t’i bashkohen shumicës së vendeve të BE-së që na njohin. 22 nga 27 vende na njohin në BE, 26 nga 30 në NATO dhe 34 nga 36 në Këshillin e Evropës. Ajo që unë e konsideroj të rëndësishme për rajonin tonë është që me këto njohje reciproke të mbarojmë të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor si rajon, sepse njohjet de-facto dhe de-jure janë të ndara në Ballkan. Mendoj se brenda pak vitesh ne mund të bëhemi anëtarë të BE-së”, ka thënë Kurti.


Kurti: Kosova ka ulur praninë e policisë në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se edhe pse nuk e kanë njohur pesë shtetet Kosovën, po punohet me ta në aspektin bilateral.

“Ka hapa të vegjël dhe shpresojmë që të na njohin edhe ato shtetet që nuk na kanë pranuar ata. Një mënyrë tjetër është ato shtete skeptike, t’i bindim me zhvillimet dhe rezultatet”, tha Kurti në një panel të diskutimit, ku po marrin pjesë edhe liderë të rajonit, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në ‘Forumin Strategjik të Bledit-BSF 2023’, të Sllovenisë.

Kurti ka folur për të arriturat e Kosovës, ku në shumë aspekte është më mirë se vendet e tjera e rajonit. Shefi i qeverisë tha se shpreson se Kosova, të jetë pjesë Këshillit të Evropës, dhe partneritet me NATO-n.

Kryeministri Kurti, tha se duhet shtensionimi në komunat e veriut. Ai tha se Kosova ka ulur praninë e Policisë dhe së shpejti do të ketë zgjedhje të parakohshme në këto komuna.

Krahas kryeministrit Kurti, në këtë panel kanë marrin pjesë: Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Bullgarisë, Nikolai Denkov, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryesuesja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Borjana Kristo dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.


Kurti në televizionin slloven u kërkon ndihmë ndërkombëtarëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke qëndruar në Slloveni, ku po merr pjesë në Forumin Strategjik të Bledit.

Ai ka dhënë një intervistë për Radiotelevizionin e Sllovenisë RTV SLO, një pjesë të shkurtër të të cilës e ka shpërndarë në ‘story’ në profilin e tij në Facebook.

Kurti ka thënë se Beogradi po bën gjithçka që mos t’i lejojë serbët në Veri të integrohen dhe për këtë ka thënë se ka nevojë për ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht të Bashkimit Evropian.

“Beogradi po bën gjithçka që mos t’i lejojë serbët në Veri të integrohen, kështu që ky bullizim i Beogradit është problem për vendin tonë, për çka kemi nevojë për ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht të BE-së”, tha Kurti.


​Kurti sot në Forumin Strategjik të Bledit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot merr pjesë në Forumin Strategjik të Bledit – BSF 2023, i cili do të mbahet në Bled të Sllovenisë.

Kurti do të jetë pjesë e një paneli të diskutimit së bashku me liderë të rajonit, si dhe do të zhvillojë disa takime bilaterale.

Ndërkohë, mbrëmë ai ka marrë pjesë në darkën e punës së ftuar nga kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Robert Golob./21Media

Back to top button