Kurti: Nuk do ta pranoja veç draftin pa pakon e plotë

(Lajm i përditësuar)


Kurti: Nuk do ta pranoja veç draftin pa pakon e plotë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk do ta të nënshkruante draftstatutin për Asociacionin, pa pakon e plotë.

Kryeministri  para deputetëve në kuvend tha se i ishte kërkuar si “urgjencë e madhe për shkak të situatës gjeopolitike” nga krerët evropianë, por edhe SHBA-ja.

“Draftstatuti i propozuar i ka vërejtjet te ndërmjetësi. Unë kam pranuar nënshkrimin e paketës. Po të më thoshin pranoje veç draftstatuin, nuk do ta pranoja. Ata nuk kërkuan prej meje ta pranoj veç draftin, sepse nuk do të mund ta pranoja. Po si pjesë e paketës, kur të thonë krerët evropianë, me mbështetjen e SHBA-së, është urgjencë e madhe për shkak të situatës gjeopolitike, po e bëjmë sonte pra. A është ashtu? Edhe marrëveshja bazike, edhe aneksi i zbatimit, edhe ky draftstatut. Me ato vërejtjet e mia, po le të jetë aty. Por me nënshkrim. Pa nënshkrim, s’ka pranim. Pa nënshkrim, s’ka garanci për zbatim”, deklaroi Kurti.


Kurti – opozitës: Mos flisni në emër të Monit, Arbenit e Astrit Deharit, pushoni

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkoi që të mos i ndërhyhet derisa flet në Kuvend dhe i bëri thirrje opozitës që të mos flasin në emër të ish-aktivisitëve të VV-së si Arben Xheladini, Mon Balaj e Astrit Dehari.

“Nuk mund të diskutojmë nëse insistoni të flisni në emër të aktivistëve të Vetëvendosjes, në emër të Monit e Arbenit, Astritit e Arbnorit. Në emër të aktivistëve të Vetëvendosjes, pushoni! Nuk mund të flisni në emër të tyre. A keni ardhur për debat ku raportoj unë, nëse vazhdoni të insistoni të flisni në emër të aktivistëve të Vetëvendosjes nuk ka debat. Thirrni një seancë tjetër të jashtëzakonshme dhe diskutojmë edhe për personalitetin tim edhe për Vetëvendosjen. Mirëpo, pushoni të provoni të përfaqësoni aktivistët e Vetëvendosjes”, tha Kurti.



​Kurti-opozitës: Vuçiq iu do fort juve, por s’jeni më ju në Qeveri

Kryeministri Albin Kurti po vazhdon polemikat me liderët e opozitës në Kuvendin e Kosovës, ku po diskutohet për dialogun me Serbinë dhe draftin e statutit të asociacionit, të propozuar nga emisarët euro-amerikanë më 21 tetor.

Kurti duke iu referuar dy partive opozitare, PDK dhe LDK, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq po i dëshiron vetëm ata në dialog, andaj po kërkon vetëm zbatimin e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015.

“Presidenti i Serbisë nuk po e dëshiron këtë draftin e asociacionit të emisarëve. Ai po dëshiron atë Zajednicën e juaj, po thotë se vetëm marrëveshjen e vitit 2013 dhe 2015 dhe asgjë tjetër nuk e pranoj. Vështirësitë më të mëdha gjatë bisedimeve në Bruksel i kemi këto. Ai po iu lyp juve dhe po iu dëshiron juve nuk po e dëshiron draft-statutin e emisarëve, por po dëshiron marrëveshjen me juve. Po thotë ku janë ata, juve po iu do ai. Ju do fort juve ai, por s’jeni ju më”, tha ai.

Sipas tij shumica e deputetëve opozitarë po flasin sikurse të ishin delegatë në Këshillin e Përgjithshëm në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Shumicën e kohës, shumica e deputetëve po flasin sikur me qenë delegatë në Këshillin e Përgjithshëm në Lëvizjen Vetëvendosje. Pra, nostalgji për Albinin opozitar dhe të gjendet ndonjë kundërthënie të brendshme me të para shumë vjetëve. Së pari duhet të dilet prej atyre partive, për të ardhur në LVV, por unë nuk vendosi a ju pranojnë. Pastaj, në organet e LVV-së t’i diskutojmë këto gjëra. Ju s’keni qenë as atëherë me mua, nuk jeni as sot. Ju kam shpjeguar pafund herë, s’kam ndryshuar as koncept dhe as qëndrime, por gjatë kësaj rruge në pozita që i kam pasur nuk mund të kem strategjinë identike, ajo ka ndryshuar. Unë e bëj minimumin e pranimit të realitetit për maksimumin e ndryshimit të tij. Nuk do të isha në këtë gjendje po të mos ishin ato marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Ato janë trashëgimi e juaj”, theksoi Kurti.

Mirëpo, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se Kurti po gënjen dhe se ka pranuar autonomi për serbët në Kosovë.

“Nuk e di sesi dua të sillem në mënyrë institucionale, por për të thënë drejt shkurt dhe shqip, po ju rren. Po ju mashtron dhe rren. E ka pranuar marrëveshjen e vitit 2013 në preambulë. Asociacioni ka kompetenca ekzekutive të marra prej komunave, ka gjykatë të arbitrazhit dhe jo Gjykatën Kushtetuese. E ka pranuar, po iu rren, dokumenti do të del, e di çfarë po flas. Po ju mashtron, ka dhënë autonomi dhe Kosova vazhdon të jetë e sanksionuar dhe kërkon njohje de-facto dhe jo njohje de-jure. Dhe këtu flet jo-po, iu ka qenë juve, jo ata dhe iu flet masave”, deklaroi ai.

Duke ironizuar, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi i tha kryeministrit Kurti që mos të shpalosë detaje për draftin e asociacionit, pasi do ta qortojë emisari evropian për dialogun Miroslav Lajçak.

“Më shumë dola t’i them kryeministrit, mos bie në provokime dhe të qorton Lajcaku pastaj. Mbaje fjalën dhe rri mirë se ata të rrahin shpinën dhe kjo po të pëlqen”, theksoi ai.


Opozita ia kërkoi draftin, Kurti: Për besë jam në hall me juve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se është “në hall” me opozitën që po kërkojnë ta shohin draftin e Asociacionit.

Kurti tha se është kërkesë e emisarëve perëndimorë që të mos e zbulojë, duke thënë se është i koordinuar me ta.

“Unë e kuptoj kërkesën e juaj, që ta shihni draftin. Emisarët evropianë dhe ata amerikanë mos me tregu draftin, tash a me koordinim a pa, qysh po doni se jam në hall me juve? Ata më thanë mos e bën publik, e kam ndarë me Presidenten sepse është shefja e shtetit. Jam në koordinim të vazhdueshëm me amerikanët dhe evropianët. Ata kanë kërkuar të mos e bëj publik, jam i korrdinuar me ta. Qysh po doni qysh me ja kallxu a me koordinim a pa koordinim. Për besë jam në hall me juve”, tha Kurti.

Kurti u zotua se s’ka me qenë “Zajednicë” Asociacioni i komunave me shumicë serbe. “S’ka me pasë Zajednicë”, theksoi ai.


Kurti-opozitës: Beogradi mu po m’ikë, aman qysh ja keni bo që nënshkrujke me juve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se është i gatshëm dhe i interesuar për të nënshkruar marrëveshje me Serbinë, por kjo e fundit po i ”ikë”.

A gjatë seancës së Kuvendit kërkoi nga PDK-ja e LDK-ja t’i tregojnë se si të nënshkruhet marrëveshje me Beogradin.

“Unë jam edhe i gatshëm për nënshkrim edhe i interesuar, Beogradi s’po don me nënshkru me mu. Ka nënshkru edhe me PDK edhe me LDK, aman m’tregoni qysh ja keni bo ju që të mësoj edhe unë. Me mu po ikë s’po nënshkrunë, po shkon në zgjedhje. Në dialogun e juaj ai ishte konstant e ju mbajshi zgjedhje, tash ata po mbajnë zgjedhje e unë jam konstant”, u shpreh tutje Kurti.


Kurti për draftin e Asociacionit: Nuk e kam pranuar, nuk e kam pranuar ende, nuk e kam pranuar…

Kryeministri Albin Kurti, gjatë raportimit në Kuvend ka thënë se Draftstatuti i BE-së nuk është “Zajednica” që e parashihnin marrëveshjet e vitit 2013/2015.

Sipas tij ai e ndërpret “trashëgiminë mosnjohëse të Kosovës që ishte çimentuar në marrëveshjet e 2013 dhe 2015”.

“E para, drafti e ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Kosovës që ishte çimentuar në marrëveshjet e 2013 dhe 2015, pra drafti ka qartësi sa i përket njohjes së Republikës si shtet i pavarur ku serbët do jetojnë në përputhje me aspiratat multietnike të Kushtetutës dhe pa qëllim tjetër minues për Republikën. Kjo qartazi nuk është Zajednicë ashtu siç e parashihnin marrëveshjet e viti 2013 dhe 2015 sepse asisoj do të ishte e padiskutueshme. E dyta, drafti në vlerësimin tim politik e bën të qartë që mekanizmi që do themelohet do ketë karakter bashkëpunues, pra nuk do të ndërhyjë në kompetencat e pushtetit publik, të komunave, organeve qendrore, askujt. E treta, drafti e mbyll hapësirën e përdorur nga Serbia që serbëve në Kosovë t’u projektoj një të ardhme jashtë kufijve të Kosovës apo në mosnjohje të kufijve të Kosovës, rrjedhimisht të jetonin me ndjenjën e imponuar nga Beogradi për luftë për territor, shkëmbim territorial a bashkim me këdo tjetër. Drafti e bën të qartë që çfarëdo ndryshimi i statutit bëhet vetëm pasi të jetë pajtuar Ministria për Administrimin e Pushtetit Lokal dhe t’i ketë dhënë aktgjykim lejues Kushtetuesja. Kjo e përmbys atë që e bënin marrëveshjet e viteve 2013 e 2015”, është shprehur Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se nuk e ka pranuar draftstatutin e BE-së për Asociaionin e komunave më shumicë serbe, pasi siç thotë ai nuk ka nënshkruar asgjë.

“Të gjithë ata që po flasin në emrin tim e disa prej tyre janë edhe në këtë sallë, se kinse unë e kam pranuar draft-statutin, janë duke keqinformuar. Një draft të tillë unë nuk e kam pranuar, nuk e kam pranuar ende, nuk e kam pranuar. Dhe kurrëfar pranimi nuk vjen në shprehje pa e parë ju. Për shkak se nuk e kam pranuar dhe nuk po e shihni”, tha Kurti gjatë raportimit para deputetëve.


Haki Abazi vendos pankarta në Kuvend, Bogujevci i largon

Derisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po raporton para deputetëve në Kuvendin e Kosovës, deputeti i pavarur Haki Abazi vendosi disa pankarta në foltore dhe në disa pjesë të tjera të Kuvendit ku shkruan “Kush e lëshoi Radojçiqin nga rrethimi”, po ashtu edhe një foto të Kurtit si “palaço”. Poshtë fotografisë së Kurtit, në fotot që ka shpërndarë Abazi shkruan “Zajednica”.

Në anën tjetër Saranda Bogujevci i largon ato pankarta që i vendos Abazi.

Kjo përsëritet vazhdimisht.


Fillon seanca e Kuvendit me vonesë, Kurti flet për Asociacionin dhe dialogun

Me një orë vonesë ka nisur të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, ku pikë e parë e rendit të ditës është raportimi i kryeministrit Albin Kurti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe dialogun me Serbinë.

Kurti do t’i njoftojë deputetët e Kuvendit lidhur me procesin në dialog dhe çështjet tjera që ndërlidhen me këtë proces.


AAK shpërndan lule të kuqe për VV-në në Kuvend

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, bashkë me deputetin Pal Lekaj kanë hyrë në sallën e Kuvendit të Kosovës me disa lule të kuqe të cilët i kanë shpërndarë për deputetët e ministrat e Lëvizjes Vetëvendosje.

Deputeti Pal Lekaj është parë teksa ia dërgon një edhe shefes së GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.
Ky aksion simbolik i AAK-së vjen pak para fillimit të raportimit të Kurtit për dialogun dhe Asociacionin


“Regjimi i Zajednicës” – PSD me aksion para Kuvendit 

Partia Socialdemokrate po mban sot një aksion simbolik para nisjes së Kuvendit të Kosovës, ku pas pak do të raportojë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti lidhur me Asociacionin dhe dialogun Kosovë-Serbi.

Anëtarë të PSD-së po mbajnë në duar pankarta me mbishkrime, ku shkruajnë “Regjimi i Zajednicës”.


Kurti raporton sot në Kuvend për takimin e fundit në Bruksel

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot (e premte) seancë plenare duke filluar nga ora 11:00.

Pikë e parë e rendit të ditës është raportimi i kryeministrit Albin Kurti për takimin e fundit që kishte në Bruksel në kuadër të procesit të dialogut me Serbinë më 26 tetor.

Në rend dite është sërish rezoluta për mbështetjen financiare urgjente për Policinë e Kosovës dhe ajo për nevojën e ngritjes së koeficientit të pagave.

Rendi i ditës:
1. Raportimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për takimin e fundit në Bruksel në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi,
2. Votimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës,
3. Votimi i Projekt-Rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave,
4. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Parqet Industriale dhe Teknologjike,
5. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për kadastër të pronës së paluajtshme,
6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Administrimin e Procedurave Tatimore,
7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për promovimin e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë,
8. Shqyrtimi i rekomandimeve lidhur me Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës, për vitin 2022,
9. Zgjedhja e dy anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave,
10. Zgjedhja e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb,
11. Miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje,
12. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Back to top button