Kaloni te përmbajtja kryesore

Kurti: Nuk dua që t’i barazojmë qytetarët serbë me ekstremistët e dhunshëm

Kryeministri Albin Kurti tregoi se në takimin e djeshëm me të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak, kanë diskutuar për deeskalim dhe normalizim.

“Për deeskalim kam siguruar të dytë – Lajçakun dhe Borrellin, se Qeveria e Kosovës kurrsesi nuk kontribuon ne eskalim asnjëherë. Gjithashtu i kam thënë se policia nuk janë duke zhvilluar aksione afër ndërtesave të komunave në veri. Sepse Borrell nga Moldavia thoshte që në afërsi të ndërtesave të mos ketë operacione nga policia”, tha Kurti në konferencë për media, njofton rtv21.tv.

Kurti tha se në takim ka shprehur gatishmërinë për zgjedhje të parakohshme në veri.

“Kjo është mënyra e vetme për ndërrim të pushtetit, nuk mund të bëhet me dhunë, duke sulmuar KFOR-in, policinë apo gazetarët. Duhet që fillimisht të bëhet nënshkrimi i peticionit nga 20 përqind e elektoratit, për zgjedhje të parakohshme, institucionet do t’i respektojnë të gjitha procedurat ligjore”, u shpreh Kurti.

Sa i përket normalizimit, Kurti tha se duhet bërë me zbatim të marrëveshjes, njofton rtv21.tv.

“Kemi marrëveshje, shumëçka që trumpetohet në mediat e vendit, ato në Serbi dhe ndërkombëtare, e kanë krijuar përshtypjen sikur nuk kemi zgjidhje sepse nuk kemi marrëveshje, por në fakt nuk kemi zgjidhje sepse nuk po zbatohet marrëveshja dhe këtu Kosova nuk ka kurrfarë faji. Dje kam kërkuar që gjithçka që është në marrëveshjen bazike, të sigurohet edhe në sekuencën e zbatimi, pra të mos lëmë asgjë anash”.

Kurti tha se takimi i djeshëm me Lajçakun ka qenë pozitiv dhe se me aso përshtypje ka dalë nga takimi edhe Lajçaku.

Tutje Kurti tha se qytetarët serbë në veri nuk duhet të futen “në një thes” me ekstremistët e dhunshëm.

“Besoj se çfarë ka kontribuar në deeskalim është ndarja që kemi bërë ndërmjet ekstremistëve të dhunshëm në njërën anë dhe komunitetit serb në anën tjetër. Nuk dua që ti barazojmë qytetarët serbë me ekstremistët e dhunshëm”.

Krejt në fund, Kurti tregoi se takimin me Lajçakun e ka filluar duke thënë se masat e BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta. /21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button