Kurti: Nuk i besoj atij grupi politikanësh që besojnë te vetëmjaftueshmëria e Ballkanit Perëndimor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur kundër iniciativës “Ballkanit të Hapur” edhe në Forumin e Bratisllavës “Globsec 2022”, ku po merr pjesë.
“Ballkani Perëndimor është i hapur ndaj Bashkimit Evropian, NATO-s, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por ne nuk mendojmë se duhet të hapemi ndaj fuqive të lindjes, ne përkrahim Procesin e Berlinit i cili po përkrahet sërish nga kancelari Olaf Scholz”, u shpreh kryeministri.
“Dua të them për nga orientimi politika po aq edhe për nga ndjeshmëria politike nuk i besoj atij grupi politikanësh që besojnë te vetëmjaftueshmëria e Ballkanit Perëndimor. Ne duhet të jemi pjesë e Bashkimit Evropian dhe të jemi anëtarë sa më shpejtë që është e mundur”, shtoi ai.
Kurti theksoi se nevojitet një dialog parimor mes Kosovës dhe Serbisë për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme të përqendruar tek njohja reciproke.
Ai tha se fatkeqësisht Serbia thotë se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës dhe nuk i pranon krimet që i ka bërë në Kosovë.
“Për të qenë i sinqertë, e dyta na ofendon dhe na lëndon më shumë. 19 shtete demokratike të NATO-s u bashkuan për të ndalur gjenocidin e regjimit të Millosheviqit në Kosovë, ata kishin kundërshtime në shtetet e veta por vepruan”, tha Kurti.
Të ftuar tjerë në panel ishin emisari i BE-së, Miroslav Lajcak, presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaqevski dhe emisari britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach./21Media

Back to top button