Kurti nuk mori pjesë në takim, Rama: Kush deshi të vinte, erdhi

(Lajm i përditësuar)

Pas takimit informal me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur një konferencë për media ku është pyetur për mospraninë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Ai ka thënë se nuk ka ndonjë interes të përgjigjet, pasi sipas tij, të gjithë kishin ftesa për takim.Megjithatë, Rama ka shtuar se “kush deshi të vinte erdhi, kush nuk mundi nuk erdhi”.


​Rama publikon fotografi pas takimit informal në Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar fotografi pas takimit informal me krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor të zhvilluar në Tiranë.

“Sot pas takimit informal mbi Planin e Ri të mbështetjes financiare dhe ekonomike të BE-së për Ballkanin Perëndimor, me komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerimin e Fqinjësisë, Oliver Varhelyi, kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, atë të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe kryeministren e Serbisë, Ana Bernabiq”, ka shkruar Rama.

Takimi është zhvilluar në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që do të zhvillohet në Shqipëri më 16 tetor.

Në takim ka munguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ndodhet në një aktivitet tjetër në Greqi. Megjithatë, Kurti do të marrë pjesë në samitin e Tetorit.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka sqaruar se kryeministri Albin Kurti e kishte njoftuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama se nuk do të mund të shkojë në takimin joformal të liderëve të rajonit në Tiranë, meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor, është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë.

Back to top button