Kurti: Nuk pranojmë që kryetarët të ushtrojnë detyrat në zyra paralele

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka hequr dorë nga vendimi që kryetarët e komunave veriore të ushtrojnë detyrat në objektet komunale, pavarësisht situatës së krijuar në veri.

Kurti  tha se kryetarët e zgjedhur atje janë legal dhe mandatin duhet të ushtrojnë në bazë të kompetencave të tyre.

“Nuk duhet të ketë paralelizma në veri, nuk pranojmë që kryetarët të ushtrojnë detyrat në zyra paralele”, deklaroi ai para gazetarëve.

Kurti foli edhe për vendimin e dy kryetarëve të komunave veriore nga Partia Demokratike e Kosovës të cilët s’janë duke dalë në punë në objektet e Komunave, veprim ky që është në përputhje edhe me kërkesën ndërkombëtare.

Ai tha se beson që kryetarët duhet të jenë në ndërtesa publike të Komunave, meqë s’ka ndonjë gjendje të jashtëzakonshme.

Ndërsa lidhur me raportet me ShBA-të, Kurti ka thënë se ato janë të shkëlqyeshme mirëpo ka raste kur dallojnë në qasje, e cila sipas tij nuk është thelbësore.

 

Back to top button