Kurti: Pa aleatë dhe miq nuk do të çliroheshim asokohe

(Lajm i përditësuar)
Kurti: Pa aleatë dhe miq nuk do të çliroheshim asokohe
Në 25 vjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO-s, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe bombardimet e kanë çliruar Kosovën nga Serbia pushtuese.
Kurti ka shkruar në Facebook të dielën se bombardimet mbi ish-Jugosllavi e kishin pamundësuar realizimin e projektit gjenocidal për shfarosjen e shqiptarëve.
Sipas Kurtit, “pa aleatë e miq nuk do të çliroheshim asokohe”.
“Pa aleatë dhe miq nuk do të çliroheshim asokohe. Me aleatë dhe miq ecim përpara vazhdimisht. Gjatë këtyre 25 viteve, populli dhe shteti i Kosovës i kanë thelluar, zgjeruar dhe intensifikuar marrëdhëniet e mira dhe lidhjet e forta me popullin amerikan dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me popujt evropianë dhe Bashkimin Evropian. Kjo do të vijojë kështu edhe më tutje, sepse ne ndajmë të njëjtat vlera e interesa dhe sepse kemi vizione e synime të përbashkëta politike dhe gjeostrategjike”, ka shkruar kryeministri Kurti.
Ai ka deklaruar se Kosova duhet të bëhet pjesë e NATO-s.
25 vjet nga sulmet e NATO-s, Kurti: Lavdi atyre që u vranë nga Serbia pushtuese
Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar nisjen e bombardimeve ajrore të NATO-s ndaj caqeve të forcave okupuese të kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq 25 vjet më parë.
Ai ka shkruar në Facebook se teksa aeroplanët e NATO-s filluan bombardimin e caqeve serbe si përgjigje ndaj krimeve të Serbisë në Kosovë, kriminelët serbë vranë në Mitrovicë kryesindikalistin Agim Hajrizi, politikanin Latif Berisha e në Prishtinë avokatin Bajram Kelmendi.