​Kurti: Padrejtësia ndaj pensionistëve që u larguan dhunshëm nga puna mori fund sot

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas miratimit të Projektligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti.

Ai ka thënë se “padrejtësia ndaj pensionistëve që u larguan dhunshëm nga puna në vitet e ‘90-ta, mori fund sot”.

Kurti ka thënë se po shtohet një skemë e re pensionale, ajo e pensionit parcial kontributpagues.

“Rreth 70 mijë pensionistë të cilët po të mos ishin larguar dhunshëm nga puna në vitet e ‘90-ta do të arrinin kushtin prej 15 vitesh kontribut deri më 01.01.1999. Tani e tutje, ata, do të marrin pensionin parcial kontributpagues”, ka thënë Kurti.

Shefi i ekzekutivit ka shtuar se “hapi tjetër do të jetë reforma e plotë pensionale së bashku me reformën sociale, për të cilat kemi filluar punën”.

Ai ka thënë se shumë shpejt do të dërgojnë në Kuvend këto projektligje për të bërë ndryshimet e nevojshme ligjore.

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar të enjten vonë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, i cili do t’ua njohë mijëra qytetarëve të drejtën e pensionit kontribut-pagues. Ky projektligj u miratua në lexim të dytë me 62 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, në seancën e 27 korrikut. Për të hyrë në fuqi, projektligji pas miratimit në Kuvend duhet të nënshkruhet nga presidentja e vendit./21Media

Back to top button