Kurti pas takimit me Dendias: Greqia, mbështetëse e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi

(Lajm i përditësuar)
Kurti pas takimit me Dendias: Greqia, mbështetëse e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar sot ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias. Pas takimit, Kurti ka deklaruar se Kosova mund të llogarisë gjithmonë në mbështetjen e Greqisë.
Ai ka potencuar se Greqia është mbështetëse e liberalizimit të Kosovës, e integrimit evropian dhe e normalizimit të plotë të marrëdhënive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Diskutuam për marrdhëniet bilaterale Kosovë-Greqi, se si mund t’i përmirësojmë ato në të gjitha sferat, por njëkohsisht edhe për zhvillimet në rajon përfshirë këtu edhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që do ta ketë takimin e radhës të nivelit të lartë në Ohër të Maqedonisë së Veriut të shtunën e ardhshme. Greqia është një mbështetëse e liberalizimit të Kosovës, e integrimit evropian dhe gjithashtu e normalizimit të plotë të marrëdhënive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pra, ne gjithmonë mund të llogarisim në mbështetjen e Greqisë për familjen e madhe evropiane, e cila është garantuesja më e mirë për kontinentin tonë, si për paqe e siguri dhe poashtu edhe për demokraci dhe mirëqenie”, ka thënë Kurti.
Kurti takohet me kryediplomatin grek në një restorant në periferi të Prishtinës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar sot ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.
Kurti ka zhvilluar takim me ministrin grek në një restorant, në periferi të Prishtinës.

Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias e ka takuar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja Osmani, siç është bërë e ditur në komunikatë, ka vlerësuar angazhimin proaktiv të Greqisë në rajonin tonë, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të shtetit grek për integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian.
“Në këtë frymë, Presidentja Osmani, duke u thirrur në vlerat e përbashkëta euroatlantike, ka kërkuar që mbështetja greke për anëtarësimin e Kosovës në institucionet euroatlantike të vazhdojë. Ndër të tjera, Presidentja Osmani ka theksuar se integrimi i plotë ndërkombëtar i Kosovës, përfshirë Bashkimin Evropian, NATO-n dhe Këshillin e Evropës, do t’i kontribuonte paqes së qëndrueshme në rajon”, është bërë e ditur në komunikatë.
Në lidhje me zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, siç është bërë e ditur, Osmani ka theksuar se plani i zbatimit të marrëveshjes duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës, e cila do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon, gjersa ka ritheksuar se koordinimi i Kosovës me aleatë në këtë proces do të vazhdojë.

Back to top button