Kurti pas takimit me Erdoganin: Në Stamboll nis një pjesë e mirë e zgjimit tonë kombëtar

(Lajm i përditësuar)
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,  ka deklaruar se “në Stamboll nis një pjesë e mirë e zgjimit tonë kombëtar”.
Kurti ka bërë të ditur se në takim me Erdoganin kanë folur për mundësitë e reja të bashkëpunimit ekonomik e tregtar, të sigurisë e të mbrojtjes, për zhvillimet në rajon e më gjerë.
Tutje, Kurti ka thënë se Kosova është mirënjohëse për rolin e Turqisë në intervenimin e NATO-s në Kosovë më 1999 për ndaljen e gjenocidit mbi popullin e Kosovës, për kontributin e pakursyer në ndërtimin e institucioneve, shpalljen dhe njohjen e pavarësisë, dhe mbështetjen e plotë të pakursyer në politikën e jashtme.
“Është kënaqësi e veçantë që me ftesë të presidentit Erdogan ndodhem sot në qytetin historik të Stambollit – kryeqendër e dy perandorive, kryqëzim civilizimesh e kulturash, pikëtakim vlerash. Që nga Mesihu i Prishtinës, poeti prishtinas i shekullit të 16-të, e te Sami Frashëri e Hasan Prishtina, Stambolli ishte gravitim edhe i popullit tonë. Për ne Samiu është ndër etërit e rilindjes sonë kombëtare, për popullin turk konsiderohet prej themeltarëve të intelektualizmit modern. I po kësaj vije është edhe Hasan Tahsini, rektori i parë shqiptar i Universitetit të Stambollit, ku student ishte Hasan Prishtina, emrin e të cilit e mban sot Universiteti i Prishtinës. Në Stamboll nis një pjesë e mirë e zgjimit tonë kombëtar”, ka thënë Kurti.
Erdogan: Mbështesim Kosovën në anëtarësimin në Këshillin e Evropës, BE dhe NATO

Pas takimit me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka premtuar mbështetje për Kosovën në anëtarësimin në Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian dhe në NATO.
“Turqia është një nga vendet e para që e ka njohur Pavarësinë e Kosovës. Atë kohë, kam qenë duke drejtuar mbledhjen e kabinetit dhe ma komunikuan që SHBA-ja e kishte njohur si vendi i parë, dhe thashë se ne do të jemi vendi i dytë që e njohim Kosovën. Qoftë e hajrit. Është domethënëse kjo. Tani janë 117 shtete që e njohin. Ne do të bëjmë punë intensive që të arrijmë shifrën që është si objektiv sa i përket njohjeve. Dua t’iu uroj 15-vjetorin e Pavarësisë që tani. Ne po vazhdojmë përpjekjet për të siguruar që Kosova të arrijë pozicionin e merituar në arenën ndërkombëtare. Mbështesim Kosovën në anëtarësimin në Këshillin e Evropës, BE dhe NATO” , ka thënë Erdogan në konferencën e përbashkët me Kurtin.

 
Fillon takimi Erdogan-Kurti
Në Pallatin Vahdettin të Stambollit ka filluar takimi mes presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Siç ka njoftuar Presidenca turke në takim do të diskutohet për çështje të ndryshme.

“Erdogan dhe Kurti do të shqyrtojnë aspekte të ndryshme të marrëdhënieve Turqi-Kosovë dhe hapat e mundshëm që do të rrisin më tej bashkëpunimin dypalësh”, thuhej në deklaratën e Presidencës.

Erdogan dhe  Kurti pritet të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp më vonë./21Media
Back to top button