Lajçak: Pak progres në pikëpamjen më të gjerë të procesin të normalizimit

(Lajm i përditësuar)

Kurti pas takimit me Lajçakun: Qeveria e përkushtuar për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot është takuar me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Përmes një komunikate të dërguar për media nga zyra e kryeministrit, bëhet e ditur se në këtë takim u diskutua në lidhje me aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit, siguria ligjore përmes nënshkrimit të tyre, por edhe për tema e çështje tjera si respektimi i procedurave ligjore drejt zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të vendit.

”Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje reciproke, përmes një procesi të dialogut të barabartë, të balancuar e të drejtë për palët”, thuhet në komunikatën e zyrës së kryeministrit.

Pas takimit të përbashkët, pati edhe një takim ndërmjet Zëvendëskryeministrit të parë Besnik Bislimi dhe emisarit Lajçak.


Lajçak: Pak progres në pikëpamjen më të gjerë të procesin të normalizimit

Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak pas takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, ka thënë se falë dialogut ka pasur rezultate të rëndësishme në fund të vitit të kaluar.

Lajçak tutje ka shtuar se ka pasur pak progres në pikëpamjen më të gjerë të procesit të normalizimit të marrëdhënieve.

“Ka pak progres në pikëpamjen më të gjerë të procesin të normalizimit. Kemi pasur marrëveshje në shkurt dhe mars të vitit të kaluar që nuk ka nevojë për pyetjen çfarë duhet bërë, por kur do ta bëjmë? Nëse më pyetni mua, do ta bëja sa më shpejt të jetë e mundur që të fillojmë me zbatimin”, ka thënë Lajçak.


Lajçak deklarohet pas takimit me Kurtin: S’ka hetime të BE-së për Banjskën

Pas takimit me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak është deklaruar për media.

Lajçak bëri të ditur se gjatë takimit u fol  për agresionin e Serbisë të 24 shtatorit, ku tha se për sulmin terrorist, përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë, e gjithashtu edhe për vendimin e BQK-së për ndalimin e përdorimit të dinarit serb.

”Sulmi i Bajnkës diskutohet në çdo takim prej se ka ndodhur dhe e kam ngritur edhe dje në Beograd sepse natyrisht, publiku evropian dhe shtetet anëtare të BE-së presion pasojat dhe personat përgjegjës të sillen para drejtësisë”, tha Lajçak.


Lajçak u takua edhe me Bislimin, vazhdon takimin me Kurtin 

Në Qeverinë e Kosovës po vazhdon takimi i Emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Ekipi i RTV21 i cili po qëndron atje ka bërë të ditur se Lajçak u takua edhe me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimin, i cili tashmë ka dalë nga takimit.


Osmani ia shpreh Lajçakut shqetësimet për disa dispozita të draftstatutit për asociacioin

Presidenca ka dalë me njoftim rreth takimit të Presidentes Vjosa Osmani me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajčák.

Sipas njoftimit, në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, me ç’rast Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës si palë konstruktive në këtë proces. Presidentja theksoi se marrëveshja e Brukselit e 27 shkurtit 2023 dhe aneksi i Ohrit i 18 marsit 2023 duhet të zbatohen në plotni.

Po ashtu bëhet e ditur se Osmani i shprehu Lajçakut shqetësimet e saj për disa dispozita të draftstatutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Sa i përket draftit të statutit të Asociacionit, Presidentja ritheksoi se institucioni i vetëm që mund ta interpretojë përfundimisht përputhshmërinë e këtij akti me Kushtetutën është Gjykata Kushtetuese e Kosovës, gjersa poashtu i shprehu shqetësimet e saj lidhur me disa dispozita të këtij drafti, të cilat mund të jenë sfiduese gjatë zbatimit në praktikë.”, thuhet në njoftim.

Paraprakisht bëhet e ditur se Presidentja Osmani ritheksoi nevojën e heqjes së masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, “të cilat janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog. Në këtë drejtim, ajo përsëriti se Kosova ka ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, duke miratuar edhe udhëzimin administrativ, ndërkaq theksoi pritjet e saj që kjo e drejtë e qytetarëve të realizohet pa vonesa e në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi.”

“Në këtë takim u përshëndetën të arriturat e fundit sa i përket zbatimit të marrëveshjes për energji si dhe asaj për targa, si hapa drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë.”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

 


Lajçak pas takimit me Osmanin shkon te Kurti

I dërguari i posaçëm BE-së, Miroslav Lajçak pas takimit me presidenten, Vjosa Osmani ka shkuar në objektin e Qeverisë për t’u takuar me kryeministrin, Albin Kurti.

Nga Bashkimi Evropian gjatë ditës së djeshme kanë thënë se ky takim është pjesë e kontaktit dhe ndërveprimit të vazhdueshëm të Lajçak me partnerët për t’i ndihmuar të ecin përpara në Dialog.


Fillon takimi Osmani-Lajçak

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.

Mediat në fillim të takimit janë lejuar të marrin vetëm pamje./21Media


Lajçak në Kosovë, do të takohet me krerët e shtetit

I dërguari i posaçëm BE-së, Miroslav Lajçak, sot nis vizitën e tij në Kosovë.

Lajçak këtë të martë do të pritet në takim edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Takimi pritet të fillojë nga ora 14:00.


Kurti pasdite pret Lajçakun në takim

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, do të qëndrojë sot në Kosovë.

Ai do të pritet nga kryeministri Albin Kurti në takimin që do të nisë nga ora 15:00.

Gjithashtu Lajçak pritet që këtë të martë të zhvillojë takim edhe me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.


Lajçak sot në Kosovë, Ukaj: Vizita e tij presion që palët t’i zbatojnë marrëveshjet

I dërguari i posaçëm BE-së, Miroslav Lajçak, ka nisur vizitën e tij të parë për këtë vit, me takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Lajçak do të qëndrojë në Kosovë sot. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka dhënë arsyen e vizitë së tij.

‘’I dërguari i posaçëm për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit e ka në kuadër të mandatit të tij të avancojë dialogun prandaj ai edhe zhvillon biseda edhe me partnerët në rajon dhe me vendet anëtare por edhe jashtë në kontekstin ndërkombëtar. Prandaj bisedat e sotme me presidentin Vuçiq dhe bisedat e nesërme me bashkëbiseduesit në Prishtinë, janë pjesë e mandatit dhe punës së tij dhe të përpjekjeve të vazhdueshme për të ndihmuar të dyja palët që të lëvizë dialogun përpara’’.

Pas takimit me ndërmjetësin e dialogut, Miroslav Lajcak, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka treguar për kërkesat që ka Serbia në proces të dialogut.

“Vura në dukje domosdoshmërinë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për mbajtjen sa më të shpejtë të zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës dhe kërkova mbështetjen e BE-së në ndalimin e provokimeve të mëtejshme që vijnë nga Prishtina’’.

Në Prishtinë ndërkaq, takimi i të martës me Lajçak është konfirmuar vetëm nga zëvendëskryueminstri Bislimi, por nuk ka hollësi të tjera nëse do të ketë edhe ndonjë takim në nivel më të lartë. Vizita e Lajçak në Kosovë dhe Serbi vjen në kohën kur, siç vlerësohet, dialogu midis dy vendeve ka ngecur në zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Politologu, Fidan Ukaj, tha për RTV21 se BE-ja përmes presionit po dëshiron që t’i shty palët përpara për zbatimin e marrëveshjeve.

‘’Para fillimit të zgjedhjeve në BE faktori ndërkombëtar po kërkon përpjekje maksimale nga palët për zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara. Vizita është që të ju bëjë presion për ketë”, tha ai.

Vendosja e dialogut si kusht që Kosova të përfitojë nga BE-ja është plotësisht gabim tha ligjëruesi i integrimeve evropiane, Avni Mazreku. Sipas tij, BE-ja së pari duhet të trajtojë Kosovën si shtet të pavarur, pastaj të zhvillohet një dialog në të cilin do të kushtëzohej Serbia me njohjen e pavarësisë së Kosovës.

‘’BE-ja thotë se qëndrimi jonë është neutral në raport me statusin e Kosovës. Prandaj cka presim nga BE-ja është një qëndrim definitiv për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur, pastaj duhet ta bëjë të domosdoshme njohjen e Kosovës nga Serbia”.

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të shmangin tensionet dhe të rikthehen në dialog./21Media

Back to top button