Kurti për grevën: Kemi bërë shumë hapa, por shantazhi nuk po pushon

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se nga ana e Qeverisë që drejton janë bërë shumë hapa për ta tejkaluar grevën në arsim, por thotë se shantazhi nuk po pushon.
Kryeministri u bëri thirrje mësimdhënësve ë shkojnë në shkollë për të dhënë mësim.
“E kam shpjeguar edhe më herët, për ata që nuk më kanë dëgjuar po e përsëris se kompensimi prej 50 eurove bëhet për t’u përballur me inflacionin dhe jo si zëvendësim për projektligjin për pagat i cili tashmë ka dalë në diskutim publik dhe natyrishit i cili do të sillet në Kuvend në të dy leximet. Jam i bindur që zgjidhja më e mirë, më e drejtë dhe më e dobishme është edhe mësimdhënësit të shkojnë në shkollë që të japin mësim edhe nxënësit të shkojnë të mësojnë. Kjo është e domosdoshme për dinjitetin e të gjithëve, por edhe për zhvillimin e mbarë shoqërisë tonë… Ne kemi bërë shumë hapa, por ajo që nuk kemi parë është pushimi i shantazhit, ‘o kaq, o nuk shkojmë në punë’ “, deklaroi ai Kurti në një konferencë për media nga samiti digjital që po mbahet të mërkurën në Prishtinë.
Kurti tha se kompensimi prej 50 eurot paraqet rritje më të madhe se rritja e vjetshme ekonomike. Ai paralajmëroi se sot pasdite do të takohet me Sindikatën Evropiane të Arsimit, ku do të diskutojë për grevën.
Greva në arsim ka filluar nga 25 gushti. Pavarësisht përpjekjeve, ende nuk është gjetur gjuha e përbashkët që fëmijët të kthehen në shkolla.
Ndërkohë kryetari i SBASHK po raporton në Komisionin për Arsim, ai ndër tjerash tha se fajtori kryesor për grevën është Albin Kurti./21Media

Back to top button