Kurti për Luan Haradinaj: Luan me emër, luan me vepra

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar heroin kombëtar Luan Haradinaj në 25 vjetorin e rënies së tij.
Ai tha se Luani ra dëshmor teksa po kalonte kufirin e vendosur nga Serbia mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Kurti tha se ai ishte luani me emër dhe me vepra.
“Luan me emër dhe luan me vepra, Luan Haradinaj ishte një zemërluan, zemra e të cilit pushoi së rrahuri si sot më 6 maj 1997, i qëlluar nga forcat okupatore serbe në Qafëmullar. Luani ra dëshmor teksa po kalonte kufirin e vendosur nga Serbia mes Shqipërisë dhe Kosovës, atë kufi që e kishte kaluar me dhjetëra herë, duke bartur edhe armë bashkë me shokët, disa prej të cilëve po ashtu do të binin dëshmorë. Student në Shqipëri dhe luftëtar në Kosovë, Luan Haradinaj realizoi edhe i vetëm shumë aksione guerile kundër policisë serbe”, ka thënë Kurti përmes një postimi në “Facebook”.
Kreu i Qeverisë tha se Luani kishte vullnet për të studiuar siç kishte edhe vullnet për të luftuar, derisa ra dëshmor për lirinë e Kosovës, këtu e 25 vjet më parë.
“Ndonëse ishte vetëm 23 vjeçar kur ra dëshmor, Luan Haradinaj ishte një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rrjeteve logjistike të saj. Lavdi veprës së tij dhe të gjithë dëshmorëve që me jetën e tyre paguan lirinë e të gjithë neve!”, ka shkruar Kurti.
Sot e 25 vjet më parë, në një përballje me forcat ushtarake serbe ra heroikisht ushtari i UÇK-së, Luan Haradinaj./21Media

Back to top button