Kurti për masat e BE-së: Nuk mendoj se duhet të spekuloj për spekulimet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk është përgjigjur lidhur me deklaratat e zyrtarëve të BE-së, të cilët i kanë quajtur spekulime lajmet lidhur me heqjen e masave të vendosura për Kosovën.

Kreu i ekzekutivit, i pyetur nga RTV21 nëse beson se BE-ja do t’ia heqë Kosovën masat, tha se nuk dëshiron të spekulojë për spekulimet.

“Nuk mendoj se duhet të spekuloj për spekulimet, Faleminderit shumë”, tha Kurti.

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se afati i dorëzimit të raportit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, rreth masave të vendosura ndaj Kosovës, dhe përmbajtja e këtij raporti, janë çështje ndër-institucionale të BE-së, dhe rreth tyre nuk mund të spekulojnë akterët jashtë bllokut evropian.

Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, raporti ka të bëjë me dinamikat e institucioneve të BE-së, dhe ka thënë se askush jashtë BE-së nuk duhet të spekulojë rreth përmbajtjes dhe afateve.

“Do të bëhet në kohën që është e duhur për Përfaqësuesin e Lartë dhe shtetet anëtare dhe përmbajtjen do ta shohin dhe diskutojnë fillimisht shtetet anëtare dhe më pas të marrin vendimet e nevojshme. Dhe kur kjo të ketë ndodhur ose kur kjo do të ndodhë, do t’i njoftojmë kolegët tanë në Kosovë se cili është rezultati. Pra nuk ka hapësirë dhe nuk shohim arsye për këto spekulime publike dhe njoftime nga aktorë të ndryshëm”, tha Stano gjatë një konference të hënën./21Media

Back to top button