Përbërja e re e Qeverisë – sot pritet t’i dorëzohet Kuvendit

Mandatari Hristijan Mickoski pritet që sot në Kuvend t’i dorëzojë propozimin për përbërjen e qeverisë dhe programin për punën e saj.

Votimi për qeverinë e re pritet të bëhet këtë fundjavë. Seancën parlamentare për zgjedhjen e qeverisë së re, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi pritet ta caktojë për të shtunën në ora 11:00 dhe duhet të përfundojë më së voni deri në mesnatën e së dielës.

Kandidatët për anëtarë të qeverisë nga koalicioni “Maqedonia Juaj” janë konfirmuar të dielën në mbrëmje nga Komiteti ekzekutiv dhe qendror i VMRO-DPMNE-së. Nga “Maqedonia Juaj” në qeveri do të jenë 15 anëtarë, tre prej të cilëve do të jenë zëvendëskryeministra, kuadro nga koalicioni “Vlen” do të drejtojnë pesë ministri dhe do të ketë një post zëvendëskryeministër dhe dy dikastere ministrore do të drejtohen nga partia ZNAM – Për Maqedoninë Tonë.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Mickoski, dje tha se do të luftojë për arritjen e qëllimeve strategjike si anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe marrëdhëniet e mira me partnerët strategjikë. Dje në ceremoninë “34 vjet VMRO-DPMNE, 131 VMRO, besëlidhje, liri, ardhmëri vazhdojmë” që u mbajt në Veles, mandatari theksoi se qeveria që do të krijojnë është e përkushtuar që Maqedonia të kthehet në vendin që i takon, një demokracie të begatë, të drejtë dhe dinamike./TV21

Back to top button