Kurti për “Njeri ish ma i fortë se guri”: Trajton traumën, por edhe shpresën, të flasim hapur me ta e jo për ta

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në ekspozitën “Njeri ish ma i fortë se guri”, me autore Brikena Shabani.
Kjo ekspozitë u hap sonte me fillim nga ora 19:00 në Muezun Kombëtar të Kosovës.
“Për shumë vjet me radhë kjo temë ka qenë tabu në shoqërinë tonë. Akoma në shumë raste vazhdon të jetë tabu. Megjithatë më e pakta që ne mund të bëjmë për të gjitha gratë dhe burrat e përdhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, është që të flasim hapur me ta – jo për ta”, tha Kryeministri Kurti.
Kryeministri po ashtu, tha se ekspozita e organizuar në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës nga forumZFD sjell pikërisht atë që duhet.
“Përmes rrëfimeve autentike, në njërën anë trajton traumën e përdhunimit, stigmën dhe margjinalizimin, e në anën tjetër shpresën, qëndrueshmërinë dhe dëshirën për jetë. Sepse vetëm duke diskutuar hapur e në mënyrë të çiltër për dy anët e medaljes, do të kemi mundësi të ndihmojmë në ri-pozicionimin e narrativës për dhunën seksuale në diskursin publik”, theksoi Kurti.
Ekspozita është e bazuar në rrëfimet e personave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës, nga libri “Unë dua të dëgjohem” të cilin Kryeministri Kurti, në takimin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel, më 19 korrik 2021, ia pati dhuruar Përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por ky i fundit e kishte refuzuar./21Media

Back to top button