Kurti për rastin e Liridonës: Nuk mjafton vetëm arrestimi, duhet edhe dënime meritore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkoi që që sistemi i drejtësisë t’i trajtojë me prioritet rastet e dhunës ndaj vajzave dhe grave .

Në konferencën “Të bashkuar kundër dhunës – Mjaft!”, Kryeministri Kurti përmendi vrasjen e Liridona Ademajt ditë më parë, si dhe atë të 14-vjeçares në Shkup, derisa tha se s’po mjafton vetëm arrestimi për kryesit e veprave, si vrasjet e fundit, pasi butësia e dënimit po shkakton përsëritjen e krimit.

“Vrasjet e fundit, vrasja e porositur e Liridona Ademajt nga burri i saj dhe kidnapimi nga shkolla e më pas vrasja e 14 vjeçare në Shkup, na ka rënduar mendjet dhe zemrat tona. Porositësit dhe kryerësit e rastit të Liridonës janë zënë e janë vënë prapa grilave. Policia syçelë si kurrë njëherë po vepron shpejt e me efikasitet të lartë. Por s’po mjafton vetëm arrestimi. Sepse ata po e dinë që ka raste të të ngjashme e jo të pakta, kur kriminelët lirohen e veprat po përsëriten edhe më rëndë se herën e parë. Kemi nevojë që i tërë sistemi i Drejtësisë t’i bëjë prioritet rastet e dhunës ndaj vajzave dhe grave. Nuk kemi si ta themi që na duhet dënim meritor. Butësia e dënimit po shkakton përsëritjen e krimit. Vënia e drejtësisë është kusht i domosdoshëm për një shoqëri të lirë e demokratike e çfarë aspirojmë të mbesim përherë. Është koha e fundit që të vetëdijësohemi së bashku. Cinizmi e sarkazmi ju ndihmojnë kriminelëve, janë mbështetje për dhunuesit. Duhet që shkollat e mediat, artistët e sportisët, personat që kanë ndikim të gjithë ti evitojnë mesazhet publike e private që mund të shihen si nxitëse ose justifikuese të dhunës”, ka thënë Kurti para të pranishmëve në konferencën e mbajtur sot “Të bashkuar kundër dhunës – Mjaft!”.

Back to top button