Kurti për situatën në Veri: Jemi në bashkërendim me partnerët ndërkombëtar

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka folur edhe për situatën në veri të vendit.
Kurti ka deklaruar se Qeveria së bashku me partnerët ndërkombëtar janë vazhdimisht të bashkërenduar në mënyrë që rendi dhe ligji, kushtetutshmëria të vlejnë për të gjithë dhe të drejtat të garantohen për secilin.
“Aktivistët nuk janë ata që besojnë që kanë arritur të vërtetën përfundimtare, as si teori e as si grumbullim faktesh. Sepse po të besosh se ke arritur të vërtetën përfundimtare, i bie që të kesh arritur në fund të rrugës, në fund të përpjekjes, në fund të historisë. Fundi nuk është koncept që aktivizon, por që pasivizon e pasiviteti stërkeq. Aktivistët besojnë se rruga vazhdon edhe më tej, se përpjekjet kurrë nuk ndalen, se historia vazhdon të na befasojë herë për mirë e herë për keq. Çështja që e mban aktivistin të tillë është pikërisht kjo, si ta ndikojmë historinë si popull, që të jemi pjesëmarrës në të e jo popull spektatorë. E kjo kërkon strategji e taktikë, fleksibilitet e qëndrueshmëri, këmbëngulje e kreativitet. Jo ngurtësim e kokëfortësi, por as lëshim pe e oportunizëm. Kërkon mbi të gjitha organizim të vazhdueshëm, në përputhje me rrethanat, pa e humbur prej syve qëllimin tonë kryesor dhe busullën”, tha Kurti.
Kurti gjithashtu rikujtoi për të gjithë se neve na rriti populli ynë, qytetarët gjithandej, na rritën demonstratat popullore në kërkim të sovranitetit dhe demokracisë.
”Na rriti sakrifica e Monit dhe e Arbenit. Ideali i Arbënorit dhe i Astritit. Kurrë nuk do t´i harrojmë, kurrë nuk do lëvizim prej rrugës së drejtë, rrugës së drejtësisë”, tha Kurti.
Tutje kryeministri përmendi shumë të arritura të pamohueshme të qeverisë në secilën ministri.
Pas diskutimit të situatës politike, Këshilli i Përgjithshëm vazhdoi punimet me votimin e rregullores për qendrat në mërgatë, raportin financiar dhe një anëtare shtesë e KZP-së./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?