Kurti përgëzoi Ypin për suksesin e librit të saj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ligjëruesen e Teorisë Politike në Departamentin e Qeverisjes në London School of Economics, Lea Ypi, njëherësh autore e librit “Të lirë – Të rritesh në fund të historisë”.
Kurti dhe Ypi diskutuan mbi situatën politike në Kosovë dhe në Shqipëri, sfidat dhe përvojat e qeverisjes. U pajtuan se orientimi progresist në të dy shtetet duhet shprehur në reformë të thellë sociale dhe administratë publike cilësore.
Biseduan edhe për realizimin e programit dhe të arriturat e Qeverisë së Kosovës përgjatë nëntë muajve, si edhe për zhvillimet aktuale politike në Britani të Madhe, BE dhe më gjerë.
Ypi ka ardhur në Prishtinë për të promovuar librin “Të lirë – Të rritesh në fund të historisë”, që aktualisht po përkthehet në 15 gjuhë.
Kurti e përgëzoi atë për suksesin që ka shënuar libri i saj që në muajin e parë të botimit dhe i dëshiroi suksese të mëtejshme. Libri trajton periudhën e viteve ‘80, para rënies së komunizmit në Shqipëri, të shikuar nga sytë e një fëmije.
Ypi është autore edhe e librave “Global Justice and Avant-Garde Political Agency” dhe “The Architectonic of Reason”, si dhe bashkëautore e disa librave të tjerë.
Libri “Migration in Political Theory” (bashkë me Sarah Fine) është renditur ndër titujt më të lexuar në katalogun e Oxford University Press. Ajo ka marrë çmim nga Akademia Britanike për ekselencë në​ shkencat politike./21Media

Back to top button