Kurti përkujton dëshmoren e lirisë, Elfete Humolli

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, sot në 33-vjetorin e rënies së dëshmores së lirisë, Elfete Humolli, bënë homazhe te kompleksi memorial në Lupç të Poshtëm.
Kurti pastaj vizitoi familjen Humolli, ku u prit nga nëna Sevdije, nëna e dy dëshmorëve, Elfetes dhe Mentorit, i cili ka rënë dëshmor më 21 mars 1999, gjatë luftimeve në Koshare.
“Risollën në kujtesë 1 shkurtin e vitit 1990, kur 33 vite më parë, duke demonstruar për lirinë e Kosovës në fshatin Lupç i Poshtëm, Elfete Humolli, dy javë para ditëlindjes së 17-të, ra dëshmore e lirisë, e vrarë nga policia serbe. Atë ditë, ajo bashkë me mijëra demonstrues shqiptarë nga fshatrat e kësaj ane të Llapit, po thërrisnin për demokraci, e përballë pushtetit të Serbisë po demonstronin për të drejta politike, për liri dhe kundër shtypjes nga regjimi serb. Në demonstratën e 1 shkurtit 1990, policia serbe shtiu me breshëri në drejtim të demonstruesve duke goditur katër prej tyre: Elfete Humolli vdiq nga plagët në vend, kurse Eset Kaçiu, Ismet Krasniqi dhe Avni Retkoceri mbetën të plagosur”, tha Kurti.
Ai shtoi se familjarët kanë rrëfyer se atë ditë, Elfetja ka qenë agjërueshëm dhe para frymës së fundit, kishte pyetur për vëllain e saj 13-vjeçar Mentorin, nëse kishte shpëtuar.
“Në rrugën e gjatë të popullit të Kosovës për t’u çliruar nga Serbia pushtuese, të ardhur nga dy rrugë të ndryshme, liria si destinacion i bashkoi motër dhe vëlla: Elfeten demonstruese për çlirim dhe Mentorin luftëtar të UÇK-së, që ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës”, u shpreh Kurti./21Media

Back to top button