Kurti: Po përgatitemi për të aplikuar për anëtarësim në NATO e BE
Lëvizja Vetëvendosje(LVV) ka mbajtur mbledhjen e 47-të të Këshillit të Përgjithshëm, në të cilën mori pjesë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Kurti ka thënë se Kosova ka tashmë një imazh të ri, në kuptim politik e ekonomik. Më tej iu referua sukseseve ku ka thënë se me LVV-në në Ekzekutiv, “Kosova është bërë fanar i demokracisë dhe i zhvillimit në rajon”.
Kurti shtoi se ky vit i qeverisjes së tij ka qenë sfidues për shkak të pandemisë, krizës energjetike e luftës në Ukrainë.
“Kemi shënuar rritje ekonomike, kemi bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e sistemit të drejtësisë, kemi luftuar krimin e korrupsionin, kemi avancuar aleancat dhe kemi forcuar raportet me shtet mike. Kosova është bërë fanar i demokracisë në rajon”, ka thënë Kurti.
Sa i përket aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Kurti u shpreh se po bëhen përgatitjet e duhura për aplikim në NATO e BE.
“Anëtarësimi ynë në KiE është vlerë e shtuar për Këshillin dhe mundësi për Kosovën që të përparoj më shumë në fushën e drejtësisë. Gjithashtu, jemi duke i bërë përgatitjet për aplikim për anëtarësim në Partneritetin e Paqes në kuadër të NATO-s dhe do të aplikojmë edhe për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, u shpreh Kryeministri Kurti.
Kryeministri u shpreh se qytetarët po shohin një të ardhme më të ndritshme në Kosovën e tyre./21Media