Kurti premton përkrahje për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Shyhrete Tahiri –Sylejmanin, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës dhe përfaqësuesit e organizatave që mbështesin të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
“Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale, kjo ditë veçanërisht na përkujton dhembjen e madhe që nuk kalon, dhe një plagë të madhe që shteti e ka obligim që ta shërojë”, tha Kurti në fillim të takimit.
Ai shtoi se të mbijetuarat e të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë kanë në krah shtetin e tyre dhe do të kenë përkrahje të vazhdueshme.
U vlerësua roli i pazëvendësueshëm i të mbijetuarave që kanë folur publikisht për rastet e tyre, e veçanërisht Vasfije Krasniqi-Goodman që vazhdon të jetë avokuese e zëshme, me forcën e saj të pashembullt.
Gjatë takimit u bisedua për angazhimin e përbashkët të institucioneve, organizatave të shoqërisë civile dhe shoqërisë, për të adresuar të shkuarën e për të përmirësuar mirëqenien e të mbijetuarve në Kosovë. U theksua rëndësia e mbështetjes së të mbijetuarve për procesin e aplikimit në Komisionin Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë, që të gëzojnë të drejtat e garantuara me ligj.
Në këtë takim të përbashkët me kryeministrin, morën pjesë edhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, kryeshefja ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, Edi Gusia, dhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Medica Kosova, Medica Gjakova, Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave – Drenas dhe “Drejtësi për të gjithë”./21Media

Back to top button