Kurti pritet nga ministri i Frocave të Armatosura të Britanisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Londër, Ilir Kapiti, u pritën në takim nga ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey.
Kryeministri ju falënderua ministrit Heappey për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën në të gjitha fazat: të çlirimit, të rindërtimit, të pavarësimit, të zhvillimit e të demokratizimit.
Biseduan për marrëdhëniet shumë të mira bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë e intensifikimit të mëtejmë të bashkëpunimit, njofton Zyra e Kryeministrit.
“ Posaçërisht u diskutua për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes e të sigurisë dhe kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e Kosovës për përkrahjen e institucioneve profesionale të mbrojtjes, sidomos të akademisë së mbrojtjes Sandhurst për shkollim të karrierës e specialistik. Kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë ngritur e kanë arritur rezultate të larta dhe FSK-ja ka marrë pjesë tri herë në garën ndërkombëtare “Cambrian Patrol” në Britani të Madhe, duke fituar njëherë medaljen e artë, një herë të argjendtën dhe njëherë të bronztën. Tani janë duke u bërë përgatitjet për pjesëmarrjen e radhës që mbahet në muajin tetor.”, thuhet në njoftim.
Po ashtu bëhet e ditur se gjatë bisedës për çështjet e sigurisë, u theksuan sfidat që vijnë nga invazioni dhe agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar rus në Ukrainë.
Kryeministri Kurti citohet të ketë thënë se Republika e Kosovës është rreshtuar përkrah botës demokratike, Mbretërisë së Bashkuar, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e dënuar sulmin dhe duke vendosur masat sanksionuese ndaj Federatës Ruse.
Gjithashtu, ai theksoi ndihmën e qeverisë për Ukrainën, ofrimin e strehimit për 5000 refugjatë dhe kushteve të punës për 20 gazetarë ukrainas, katër prej të cilëve tashmë janë vendosur në Kosovë dhe po vazhdojnë të merren me profesionin./21Media

Back to top button