Kurti priti në takim autoren e librit “Memorie dhe Traumë”, Blerina Rogova Gaxha

Kujtesa kolektive dhe fuqia e letërsisë për ta mbajtur gjallë atë, u diskutuan në takimin e sotëm ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me autoren Blerina Rogova Gaxha.

Në njoftimin për media thuhet se gjatë këtij takimi u bisedua për librin “Memorie dhe Traumë: Kujtesa e luftës 1998-1999 në letërsinë shqipe në Kosovë”, nga autorja Blerina Rogova Gaxha. Ky projekt i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit u vlerësua për rëndësinë në ruajtjen dhe kujtimin e së kaluarës sonë.

“Kryeministri Kurti ritheksoi angazhimin e Qeverisë për mbrojtjen dhe ruajtjen e kujtesës kolektive, e cila do t’u shërbejë edhe brezave të ardhshëm pas nesh. U theksua rëndësia e ballafaqimit me të kaluarën, si një proces shërues dhe mekanizëm i shëndetshëm për përparimin shoqëror”, citohet Kurti në komunikatë.

Autorja Rogova Gaxha tha se “Memorie dhe Traumë” hulumton dhe interpreton transmetimin dhe qarkullimin e memories së luftës e të kujtimeve traumatike në letërsi, me qëllimin e sjelljes së rezultateve që e dëshmojnë peshën e letërsisë si medium i kujtesës kulturore për ta mbajtur gjallë kujtesën kolektive të luftës.

Back to top button