Kurti: Qeveria dhe populli i Kosovës besojnë në Bashkimin Evropian

Kryeministri, Albin Kurti, deklaroi mbrëmjen e së enjtes se Qeveria dhe populli i Kosovës besojnë në Bashkimin Evropian porse edhe BE duhet të zgjerohet.
Këto deklarata ai i bëri në në pritjen për anëtarët e Komitetit të Këshillit të BE-së për Aspektet Civile të Menaxhimit të Krizave në Kosovë, organizuar nga EULEX-i dhe Ambasada e Çekisë.
“Qeveria dhe populli i Kosovës besojnë në BE dhe ne mendojmë se BE-ja duhet të ketë ambicie të mëdha për Ballkanin Perëndimor dhe për vete. BE-ja duhet të përparojë, ne të gjithë duhet të mbrojmë BE-në dhe BE-ja duhet të zgjerohet”, deklaroi Kurti.
Kurti përmendi edhe të arriturat, sipas tij, të qeverisë që drejton duke u ndaluar në të gjitha fushat.
Tek siguria, ai tha se Rusia përmes aleatit të saj në Ballkanin Perëndimor, Serbinë, ka shtuar përpjekjet për të destabilizuar situatën e sigurisë në vend.
“Në vazhdën e invazionit të paligjshëm të Ukrainës nga Federata Ruse këtë vit, Rusia ka shtuar përpjekjet e saj për të destabilizuar situatën e sigurisë në Kosovë, veçanërisht në bashkëpunim me Serbinë, aleatin e saj të ngushtë në Ballkanin Perëndimor. Qeveria jonë është përgjigjur në përputhje me rrethanat duke intensifikuar bashkëpunimin tonë me NATO-n, BE-në, SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe aleatët kryesorë evropianë. Po ashtu kemi dyfishuar fondet për Forcën e Sigurisë së Kosovës”, tha Kurti.
Qëllimi i vizitës së këtij delegacioni në Kosovë u tha se të bëjë vlerësimin e punës së Misionit të EULEX-it në Kosovë dhe të kuptojë më thellë situatën e sundimit të ligjit dhe të sigurisë në terren.

Back to top button